Për deputetin Lefter Gështenja, Partia Demokratike duhet të zgjidhë fillimisht krizën e legjitimitetit, në vazhdën e një sërë krizash në të cilat ka hyrë. I ftuar në studion e ABC Live, deputeti tha se palët duhet të dalin nga ngërçi, pasi nuk njohin njëra-tjetrën.
Sipas Gështenjës, Kuvendi i 30 prillit, i organizuar nga Komisioni i Rithemelit thelloi edhe më shumë çarjen. Demokrati thekson se “Rithemelimi” nxitoi për të bërë një proces të njëanshëm në degët e partisë.
“Ka edhe një krizë legjitimiteti. Palët nuk njohin njëra-tjetrën. Duhet të dalë PD nga ky ngërç. Doja ta zgjidhja brenda saj, jo me gjykata. Si familje e madhe të uleshim.
Platforma nuk u mor në konsideratë, Rithemelimi finalizoi 30 prillin. Pardje në darkë u njoftua për mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar. E vërtetë se nuk ishte kuorumi. Në atë mbledhje nuk u mor ndonjë vendim.
E kam thënë se nëse do shkohej drejt 30 prilli, çarja do thellohej. Duhej marrë një vendim për ta shtyrë këtë proces. Ishin 30 e ca deputetë që kërkuan që ky proces të ndalet se është i njëanshëm.
Ata nuk po ndalen. Po ku na çon? Demokratët nuk janë bashkë. Nuk ka patur në këtë proces gjithëpërfshirje. Kanë marrë pjesë në zgjedhje vetëm ata që kanë plotësuar formularin e Rithemelimit. Zgjedhja e njëanshme e këtyre forumeve çon edhe zgjedhjen e strukturave. Unë kam thënë që ta nisim procesin mbarë nga e para dhe të mos përjashtojmë asnjë”, tha ai.
Nëse PD nuk bashkohet, gjasat janë që do të ketë një “6 Mars” të dytë, beson Gështenja, teksa pas një viti do të mbahet zgjedhjet lokale.
“Pas 30 prillit nuk ka vullnet. Njëra palë e ka treguar që ka vullnet dhe të ulet. Unë kam qenë ndër propozuesit e platformës. Në zgjedhjet e ardhshme PD duhet të jetë e bashkuar. Nëse nuk ndodh do të kemi një 6 mars të dytë vitin tjetër” nënvizoi ai.
Lidhur për çështjen e presidentit që ka përplasur sërish palët, Gështenja shprehet se duhet të jenë gjithashtu të unifikuar me qëndrimin e tyre. Sipas deputetit, PD nuk duhet ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të shtetit.
“Unë shpreha mendimi që do të doja të jetë i gjithë grupi. Të dalim të unifikuar me një vendimarrje konkrete. Do të doja të mos largohemi nga procesi, se historia ka treguar se duke refuzuar kemi qenë në rrugine gabuar. Ndikuar edhe nga propozimet e Rithemelimit që dënojnë largimet nga proces, nuk duhet ti ikim procesit të presidentit. por kjo duhet të jetë një vendimmarrje e grupit”, tha ai.