Kryetari në detyrë dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, mblodhi ditën e sotme Kryesinë e grupit parlamentar. Këtë e bëri të ditur deputetja e PD-së, Oriola Pampuri, e cila njoftoi se mbledhja u zhvillua në orën 09:15, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Sipas saj, Kryesia e Grupit të PD-së do të mblidhet rregullisht çdo javë, ditën e premte, ora 09:15 ndërsa kujtoi se të hënën do të jetë mbledhja jashtë radhe.
“Në vijim të kërkesës së bërë ditën e djeshme dhe njoftimeve të bëra nga sekretari i Grupit, sot, më 6 maj 2022, ora 09:15, në mbështetje të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë dhe neneve 5 dhe 6 të Rregullores së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në ambientet e Zyrës së Grupit pranë Kryesisë së Kuvendit, u mblodh Kryesia e Grupit Parlamentar të PD-së, e cila pasi diskutoi çështje të axhendës parlamentare, me shumicë votash, vendosi: Kryesia e Grupit të PD-së do të mblidhet rregullisht çdo javë, ditën e premte, ora 09:15. Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet jashtë radhës ditën e hënë, datë 9 maj 2022, ora 09:15”, thuhet në njoftimin e Pampurit.