Operacionet për evakuimin e civilëve nga Mariupol do të vazhdojnë, por forcat ruse “nuk kanë ndalur” bombardimin e fabrikës së çelikut Azovstal. Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës, drejtuar popullit ukrainas.
“Gra, shumë fëmijë mbeten atje të bllokuar”, tha ai.
OKB-ja tha se shpresonte të evakuonte më shumë civilë nga uzina Azovstal ku qindra besohet se fshihen në bunkerë. Fabrika e çelikut në Mariupol është pjesa e fundit e qytetit jugor që është ende në duart e trupave ukrainase, raporton BBC. Shefi i OKB-së Antonio Guterres tha se duhet bërë gjithçka për t’i “nxjerrë njerëzit nga këto peizazhe ferri”.
Të enjten, dy autokolona kishin evakuuar rreth 500 njerëz nga uzina Azovstal, Mariupol dhe zonat përreth, tha ai. Në fjalimin e tij, Zelensky tha gjithashtu se kishte një mungesë “katastrofike” të aksesit në shërbimet mjekësore dhe ilaçet në zonat nën pushtimin rus. Trupat ruse kishin shkatërruar ose dëmtuar rreth 400 institucione të kujdesit shëndetësor në Ukrainë.