Fatbardh Kadilli ka renditur edhe njëherë tjetër të gjitha arsyet që e ‘ndalojnë’ të kandidojë në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. I ftuar në një emision televiziv, Kadilli tha se 22 maji sipas tij nuk është garë. Ai shtoi se aty kandidon Berisha dhe ndoshta ndonjë person tjetër, por që rend pas ish-kryeministrit.
“Partia është e përçarë, nuk jam i asaj që thuhet se vota sjell bashkimin, pasi vota po thellon çarjen. Mjafton të shikoni retorikën, deklaratat dhe akuzat.
Partia është në një konflikt, kemi një bazë partie e cila nuk u bë pjesë e asnjë procesi. Kemi një grup parlamentar që nuk po bën aspak politikë.
Më saktë në zgjedhjet e 6 marsit mësuam se ka 3 pjesë: një që mbështeti Berishën, një kandidatët e Bashës dhe një e tretë që qëndroi në shtëpi, pra nuk votoi. Në 22 maj kemi zgjedhjen e kryetarit, por nuk është garë e vërtetë, pasi rrjeshti është i Berishës. Nuk mund të bësh as ballafaqim politik. Berisha u nxitua me procesin, e bëri shumë shpejt të gjithë procesin zgjedhor, madje më shpejt edhe se Basha në garën e qershorit 2021,”- tha Kadilli.