Deputetët Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi janë mandatar nga Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike që të negociojnë me partitë e tjera opozitare për një emër të presidentit të ri të vendit.
Lajmin e bëri të ditur pas mbledhjes ish-kryeministri Sali Berisha që tha se “Enkelejd Alibeaj po funksionon si ministër virtual i Edi Ramës”. Berisha tha se në negociata do përfshihet i gjithë spektri opozitar dhe se presidenti duhet të jetë një emër që vjen nga politika.
“Të imagjinosh një president jopolitik është e papranueshme. është përfaqësues dhe post politik. Në këtë kontekst çdo parashikim tjetër është i gabuar, i stisur dhe non sens. Por në rast se e keni fjalën për kriteret, përgjigjen për Alibeaj e kemi dhënë. Janë dokumente që nuk ka asnjë synim tjetër vetëm të zgjedhin atë që do Rama” – tha Berisha.