Ambasadorja amerikane në Tiranë ka dhënë sonte një sërë mesazhesh të forta për politikën, por edhe për qytetarët shqiptarë. Për rreth 30 minuta ajo foli në “Open” të Eni Vasilit në News 24 për kritikat e Ramës se nuk po heton Berishën dhe Metën, marrëdhëniet me PD-në nën drejtimin e pritshëm të Berishës pas 22 majit, por edhe për arrestimet e ish ministrave dhe bandat që kanë përfunduar mbrapa hekurave.
Për sulmet e Ramës ndaj SPAK
Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë.
Për ish-ministra, deputetë dhe bandat mbrapa hekurave
çështjet kundër grupit të Emiljano Shullazit, kundër grupit Avdyli – ky është grupi i Shijakut, grupi i Petrit Sulejmanit, grupi i Esat Mehmetit, grupi i Admir Hoxhës, dhe grupi Ndoka u dënuan me vendime të formës së prerë. Grupe të tjera kriminale të rrezikshme janë nën hetim dhe gjykim. Grupi i Durrësit, grupi famëkeq i Durrësit është në gjykatë. Kur thoni se shkojnë pas të vegjëlve, ju vë në dukje këtë: ish-Ministri i Brendshëm, ish-Prokurori i Përgjithshëm, dy ish-kryebashkiakë janë dënuar me vendim të formës së prerë. S’ka pikëpyetje, janë dënuar. Një ish-Ministër i Mjedisit, një deputet në detyrë, dhe shumë zyrtarë të tjerë, në ministri të ndryshme janë nën hetim për çështjen e inceneratorëve. Gjykatës dhe prokurorë u dënuan nga gjykata e shkallës së pare për kundravajtjen penale të korrupsionit, s’po përmend emra, mund t’i kërkoni vetë. Gjykata e shkallës së parë dënoi të gjithë strukturën qendrore të shtetit që kryente prokurimet publike në emër të të gjitha institucioneve shtetërore – kjo ka lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit. Janë në gjyq për korrupsion, shpërdorim detyre, dhe deklarim të rremë të të ardhurave. Të tjerë gjykatës dhe prokurorë po ashtu janë nën hetim. Tri kryebashkiakë janë në gjyq tani. 190,000 metra katrore tokë në Gjirin e Lalzt u konfiskuan.
Për “peshkun e madh”
Mendoj se ky është një proces dhe merr kohë. Përsëris, reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po shohim përparim. Do t’ju pyes: kur ishte hera e fundit që dy ministra të partisë qeverisëse u futën në burg? Kur ishte hera e fundit? Më duket se s’ke ndonjë përgjigje të mirë për këtë. Kur ishte hera e fundit që deputetë janë hetuar dhe iu janë konfiskuar pronat? Nuk më duket se ke ndonjë përgjigje të mirë as për këtë.
Për peticionin online kundër ambasadores
Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë bazohen në fakte, ndonjëherë jo, por pavarësisht kësaj, kanë të drejtën absolute ta shprehin. Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen. Do të them këtë – mendoj se ndonjëherë ka një keqkuptim se cili është roli i ambasadores amerikane, apo veprimet e ndërmarra nga ambasadorja amerikane. Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam me pushime këtu.
Për PD me Berishën kryetar
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje është shumë, shumë i qartë por përfundimi është se nuk do të kemi të bëjmë me dikë i cili është shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë dhe do të ishte fatkeqësi nëse nuk do të kishim marrëdhënie normale me një parti me të cilën kemi pasur një marrëdhënie të veçantë për një kohë kaq të gjatë
A mund t’i hiqet Berishës non-grata?
Mbi 200 persona janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsioni domethënës dhe iu është ndaluar hyrja në SHBA, atyre dhe familjarëve të tyre. Nga këta, zero raste janë zmbrapsur. Nuk mendoj se është realiste të mendosh se një ndryshim i qeverisë do të ndryshonte disi faktet. Faktet janë të qarta dhe mendoj se çdo shqiptar i kupton faktet.
Për korrupsionin
Nuk mendoj se çudit askënd ajo që shkruhet në raportet tona, që korrupsioni është një problem në të gjitha nivelet e qeverisë. Ndaj mendoj se ka veprime që duhet të vazhdojnë të ndërmerren dhe të shpeshtohen për t’u përballur më këtë problem. Dhe mendoj se po shohim diçka të tillë dhe mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me qeverinë, opozitën, OJQ-të, me cilindo që është palë, për t’u përpjekur për përmirësimin e situatës.
Mesazhi për shqiptarët
E di që ka disa të cilët duan të dorëzohen, të cilët do të thonë se asgjë nuk ka ndryshuar. Ata hiqen sikur reforma në drejtësi ka dështuar. Ata pretendojnë se çdo gjë në Shqipëri është e tmerrshme. Ata pretendojnë se bota nuk mendon shumë për Shqipërinë. Ata janë gabim. Ata e kanë gabim. Ata po ju shpërqendrojnë dhe ajo që po përpiqen të bëjnë është që t’ju vrasin shpresën tuaj. Po përpiqen t’ju vrasin të ardhmen tuaj. Dhe ju nuk duhet ta pranoni këtë. Ju duhet të luftoni. Ju duhet ta mbani shpresën tuaj. Duhet të kujtoni se cilët jeni – kjo është toka e Skënderbeut. Këmbëngulni! Luftoni!