Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, zhvilloi këtë të shtunë gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një takim me kongresmenin aktual republikan të shtetit të Floridas Matt Gaetz, si dhe me ish-kongresmenin Ted Yoho.
Kongresmani Gaetz rezulton të jetë “dëshmitari” i cili konfirmoi takimin Rama-Trump gjatë samitit të NATO-s në Bruksel në vitin 2017.
Asokohe, Gazetz zbardhi me anë të një letre takimin e mbajtur mes ish-presidentit amerikan Trump dhe kryeministrit Rama, ku e falënderoi këtë të fundit për reformat e ndërmarra në vend dhe veçanërisht për Reformën në Drejtësi.
“Jam i lumtur për takimin mes Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. SHBA-të kanë gjetur një aleat të fortë tek Shqipëria në luftën kundër ISIS. Pas vizitës në Shqipëri muajin e kaluar, dua të përgëzoj kryeministrin Rama për reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë. Reforma në drejtësi, mbetet një nga arritjet kyçe të qeverisë Rama, sepse ndihmon popullin shqiptar dhe të gjithë rajonin. Kryeministri Rama ka treguar një lidership të madh në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe drejtimin e vendit më afër Bashkimit Europian”, shkruhej në letrën e kongresmenit amerikan.
Por Gaetz nuk është i njohur për shqiptarët vetëm për konfirmimin e këtij takimi dhe vizitën e tij në Shqipëri, por ai ka bërë xhiron e mediave botërore për shkak të përfshirjes në një aferë seksuale me një 17-vjeçare.
Gaetz u akuzua në Prill të vitit të shkuar nga shoku i tij Joel Greenberg se kongresmeni kishta paguar shuma parash për të patur marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur të moshës 17-vjeçare.