I trishtë dhe shumë i dhimbshëm lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit fisnik, Bujar Nishani, duke zhytur në pikëllim të thellë familjen, të afërmit, miqtë, Partinë Demokratike dhe gjithë shqiptarët.
Ndarja nga jeta e ish-Presidentit, Bujar Leskaj: Nishani ishte shembulli i familjarit model; qytetarit të përgjegjshëm, shtetarit të ndershëm e atdhetar, politikanit të urtë e të matur
Nga Bujar Leskaj
Bujar Nishani ishte shembulli i familjarit model; qytetarit të përgjegjshëm, shtetarit të ndershëm e atdhetar, politikanit të urtë e të matur, modest e punëtor, të përgjegjshëm e largpamës në emër të demokracisë e prosperitetit, që e përfaqësoi Shqipërinë dhe kombin tonë në mënyrën më dinjitoze.
Gjatë gjithë karrierës së tij, zoti Nishani ishte një shërbestar i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që me maturinë e tij i dha vlera të vërteta institucionit të Presidentit të Republikës. Në mendimin tim ishte Presidenti më i mirë i Shqipërisë në këto 30 vite tranzicion.
Personalisht e kam çmuar veçanërisht zotin Nishani, bashkëpunimin, ndihmën e këshillat e vyera të tij, sidomos gjatë viteve kur Ai ishte President dhe unë kryetar i KLSH, bashkëpunim, i cili u shndërrua më pas në një miqësi të ngushtë.
Përpos të tjerash Presidenti Nishani ishte mik i vërtetë i Vlorës, i kulturës, vlerave dhe traditave të qytetit tonë, veçanërisht i Lumit të Vlorës, duke nderuar figura të shquara intelektuale, patriotike e historike të Labërisë, si bir i saj për nga origjina.
Presidentin Nishani do ta kujtoj si një personalitet me vlera të rralla, si burrë shteti me integritet, vizion dhe konseguent, si mik të mençur e të urtë.
Sot, Shqipëria, Partia Demokratike dhe ne jemi më të varfër!
Familja ka humbur para kohe njeriun e dashur, miqtë humbën mikun e vyer e fisnik, Shqipëria dhe Kosova kanë humbur një burrë shteti dinjitoz, një qytetar me vlera, një shërbestar të vërtetë, të paqtë e të ndershëm, kontributin e të cilit do ta kujtojë gjithmonë me respekt.
Partia Demokratike ka humbur njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, një politikan të matur e të përkushtuar, i cili edhe në muajin e fundit të jetës së tij u përpoq ndershmërisht e pa hezitim për më të mirën e PD dhe demokracisë.
Qofsh i paharruar, mik i dashur e i shtrenjtë!
RELATED ARTICLES