Çdo vit, pak maturantë kërkojnë të bëhen mësues apo aplikojnë në degët e mësuesisë duke bërë që të ketë pak regjistrime në universitete. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave mori vendimin që mesatarja e pranimit do të ulet nga 7.5 në 6.5 për të gjithë maturantët që synojnë një profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian. Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti i cilësoi “specie në zhdukje” mësuesit e lëndëve të shkencave ekzakte pasi nuk i ofrohet asgjë nga shteti.
Çdo vit, pak maturantë kërkojnë të bëhen mësues apo aplikojnë në degët e mësuesisë duke bërë që të ketë pak regjistrime në universitete. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave mori vendimin që mesatarja e pranimit do të ulet nga 7.5 në 6.5 për të gjithë maturantët që synojnë një profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian.
Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti tha se arsimi në vendin tonë është shumë i dobët dhe nuk mund të bëhen ndryshime të tilla në momentin e fundit. Sipas tij nuk ka asnjë analizë që tregon se si u ul mesatarja.
“Nuk bëhen zgjidhje me VKM. Jemi në fund të lojës dhe nuk e di si mund të ndryshosh rregullat në fund të lojës. Jemi dy ditë para fillimit të sezonit të maturës shtetërore. Ndryshimet bëhen me dije minimalisht 3 vite para. Pra duhet t’i thuash se kush fillon tani, do të ketë këtë ndryshim. Ne kemi një arsim shumë të dobët, i cili nuk mund të rregullohet kur nxënësi është 18-19 vjeç. Ne kemi mungesë të institucioneve arsimore, të vetëdijësimit për profesione të caktuara. Kemi mungesë të analizave se nga doli, si u ul mesatarja, a ka analizë për këtë punë”, tha Mehmeti.
Ndër të tjera, Mehmeti i cilësoi “specie në zhdukje” mësuesit e lëndëve të shkencave ekzakte pasi nuk i ofrohet asgjë nga shteti. Ndaj ngriti shqetësimin se studentët po braktisin shkollën që në gjimnaz për të vijuar studimet jashtë vendit.
“Ne kemi mësues të shkencave matematikë, fizikë, kimi e biologji si ajo shprehja “specie në zhdukje”. Nuk kanë interes. Nëse i themi studentit që ti që do të studiosh matematikë, duhet që lëndët shkencore t’i kesh me mesatare të lartë, por do të paguhet tarifa shkollore, akomodimi në konvikte dhe kur të dalësh në punë do të kesh bonus financiar, është i aftë për ta bërë këtë punë. Çfarë ofrojnë këta? Po humbasim nxënës vit pas viti, po na braktiset shkolla që në shkollë të mesme, po ikin jashtë vendit. Me këtë trend do jemi drejt shpopullimit. Kjo është turp për ne”, tha Mehmeti.