Liderët e tri vendeve që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të marrin pjesë sot në takimin e Këshillit të Europës në Bruksel.
Një ditë pasi shfaqën hezitim për t’i kthyer përgjigje kërkesës së Brukselit për të qenë të pranishëm, tre liderët biseduan sërish dje duke rënë dakord që t’i përgjigjen asaj pozitivisht. Ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që konfirmoi i pari praninë në këtë tryezë.
Rama tregon se ndryshuan qëndrim pasi ish-Kryeministri bullgar, njëkohësisht dhe kreu i opozitës, Boyko Borisov, i ka kërkuar Kryeministrit Krill Petkov që të sjellë propozimin për t’u hapur rrugën negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Europian që ne mbështesim, për ‘Ballkanin e Hapur’ që çon përpara frymën e Europës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”, deklaroi z. Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare vijon të mbetet skeptik për një zhvillim pozitiv gjatë takimit të Këshillit Europian, pavarësisht sinjaleve pozitive që erdhën këtë të mërkurë nga Sofja.
“Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimistë dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm (sotëm), ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Europës”, theksoi kreu i qeverisë.
Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, sqaroi se pas një bisede të gjatë me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm, tha se do të refuzonin pjesëmarrjen në Samitin e BE-së, pasi do të përballeshin me një tjetër “Jo, më fal”.
“I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!” shkroi Rama.
Vetoja bullgare ndaj MV qershorin e kaluar ka bllokuar procesin e negociatave edhe për vendin tonë. BE ka hezituar që t’i trajtojë të ndara në procesin e integrimit, të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor, më argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare, të cilat konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në Samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.