Nga Basir Çollaku
Arben Ahmetajn e shkarkoi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa firmën e hodhi formalisht kryeministri Edi Rama. Shkarkimi i zëvëndëskryeministrit Arben Ahmetaj, njeriut euro-dollarë pranë Ramës, është shenjë e një beteje të ashpër brenda PS, e pjesëve të ndara të kësaj partie, e cila ka nisur të shpërthejë agresivisht. Aty janë hesape financiare, klane, arkiv dhe ardhmëri, të cilat po shkumëzojnë njëherësh. Përplasja socialiste, ka të bëjë me pasardhësin e Ramës, betejë me rrënjë përtej Shqipërisë, në rrethin “Soros” ku njëri ka aksionet e mëdha e tjetri është prodhuar. Përballja nuk është fort artistike, por bindja kriset jo rrallë herë. Veliaj mundi në ambicien e tij, për zëvëndës të Ramës, rivalin politik Sajmir Tahiri, i cili kishte shumë më tepër mbështetje majtistësh brenda partisë në pushtet. Por afera e drogës si platformë qeverie, pas viteve 2013-të, ndërtuar nga Edi Rama, i ngeci në dorë Tahirit, duke e përfshirë në ato miliona euro paligjshmërie nëpër duar dhe kjo solli asgjësimin e tij politik, me kosto qelie. Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku ishin më afër së bashku, në përpjekje për të qëndruar në start, në kohën e hapjes së kutisë. Trashëgimia si zgjatim i etërve, i favorizonte, ndërsa Erion Veliaj tërhoqi në ekip të përjashtuarin e madh, kundërshtar cilësor i kryesocialistit, ish-ministrin Fatmir Xhafa, njeriu që bashkë me Gramoz Ruçin, mbanin tapinë e partisë dhe dosjet e saj, ku nuk mungojnë sekretet e Ramës. Veliaj me pushtetin e madh financiar e të fuqisë punëtore si votuese, të kompanive të shumta të ndërtimit, e futi Xhafën në parlament jashtë projektit të shefit. Zeruan llogarinë elektorale të kryetarit të PS së Tiranës, Ervin Bushati, duke e nxjerrë nga Kuvendi. Lidhjet ortake me biznese të kriminalizuara, prishën hartën e dominimit partiak të kryeministrit. Taulant Balla u shpall kryevota socialiste e 2021-it, duke lënë Ramën të nervozuar në ekstrem, si i dyti në renditje pëlqyeshmërie. Kjo i solli atij si shpërblim, heqjen nga posti i numrit dy të partisë, duke hapur vend për lakmitarin e zonës së parë operative, Damian Gjiknurin, që i zuri vendin, me replika të lehta gazmore. Aqif Rakipi si aleat i orëve të fundit, pas një kurrizi të kthyer prej kohësh, në parlamentaret e vitit të shkuar, rrëmbeu dy mandate në Tiranë dhe Elbasan, për llogaritë e vjetra socialiste. Tom Doshi nga ana tjetër, eklipsoi Ilir Beqen në Shkodër, zgjeroi veten në Tiranë, duke marrë tre mandate, sërish për Ramën. Kryeministri nën efektin e lidhjeve të forta ambasadash, për arsye të dyshimta, i qëllonte kundërshtarët e brendshëm me plumba diplomatikë. E nisi me Doshin, që hapi lehtë krah, duke lënë tre ushtarë gati. Radha e bindjes si e duan ata, amerikanët, janë lista non-gratash, bindi Lefter Kokën të zhbëhet me një deklaratë dhe më pas të përfundojë në qeli, si kurban për çorbën e plehrave gjysëm miliard euroshe, njëherësh dhe për të bërë presion Armand Dukës si ultimatum i Erion Veliajt. Mesazhe të publikuara të Veliajt, ku kërkonte largimin e Dukës nga Federata e Futbollit, ishulli i vetëm i pushtuar prej tij, flisnin se mund të gjendej një zgjidhje për Terin, sepse siç premtonte kryebashkiaku së paku si hap të parë, kishin kursyer familjarët e tij, bashkëshorten dhe djalin e ish-ministrit të arrestuar. Këto nuk hyjnë më te sekretet. Ndonëse SPAK është syverbër e veshëshurdhër në këto detaje penale. Rama u detyrua të përkulet ndaj presionit të vartësit të tij, sepse fuqia nga jashtë i komplikon ekuilibrat. Fotot e përbashkëta me mentorin e përbashkët Xhorxhin 90 e kusur vjeçarë, janë gara e mbështetjes ku herë nxiton njëri dhe herë mungon tjetri. Ndaj për të zbutur acarimin, emëroi së pari kryesocialist të Tiranës kryebashkiakun. Në fillim të muajit korrik, kryesia e PS-së rikonfirmoi në krye të PS në Kryeqytet, Erion Veliajn për katër vitet e ardhshme shoqëruar me alibinë e Gjiknurit, se kjo zgjedhje është në funksion të objektivave politike që kjo forcë ka. Përpjekja për paqe mes kryeministrit e kryetarit lokal, sulmuesit në hije, nuk ka përfunduar ende. Ahmetaj me një arkiv të madh ngjarjesh në financat, buxhet, ndihma, para gri dhe të zeza, aty ku akuzat e pafundme flasin për plaçkitje, është larguar dhunshëm nga detyra, sepse Veliaj ka kushtëzuar Ramën. Sigurisht ai do jetë në stol rezervash në zhvillimet që po ziejnë. Për të rikuperuar për sy e faqe publikisht dhe për të mjekuar inatin dhe forcën e lënduar të tij, Rama zgjodhi Belinda Ballukun, një tjetër humorprishëse të Veliajt, besnike të tij, si pasardhëse të Ahmetajt. Zgjedhjet vitin e ardhshëm, mund të sjellin surpriza nga vetë të majtët. Veliaj nuk është më fort i sevdallosur për bashkinë e Tiranës, në egon e shfaqur hapur për të zëvëndësuar Edi Ramën në qeverinë e Tiranës. Kjo mund të bashkojë shumë aktorë politikë, për të prodhuar në vitin 2023, zgjedhje parlamentare. Koha është për të ndërruar kreun e mazhorancës sot, opozitës së nesërme. Veliaj ka vënë shishen. Por, Rama nuk është një ikës me dëshirë. Përkundrazi. Ai shet këdo gjatë rrugës për fundshpinën e tij, ku një ndër të shiturit mud të jetë Erion Veliaj, kryesisht në dosjen e inceneratorëve. Ndaj përplasja do na dhurojë befasira të pusetës së qeverisjes 9-vjeçare. Lufta brenda llojit në pushtet, ka nisur… Paratë e vjedhura po bëhen diamante e flori në banka nëpër botë. Dikush ka dijeni ku gjenden e mund t’i ndryshkë. Lufta politike ka edhe të vrarë politikë. Të plagosurit po shtohen dhe numërohen, ndaj Ahmetajn e hoqi Veliaj dhe e firmosi Rama. Lefteri dihet, nuk ishte Koka…