Nga Gentian Gaba
Një protestë, jo më e madhja e opozitës, as më e madhe se ajo e organizuar nga Adriatik Lapaj me shokë pak muaj më parë; Një vendim gjykate me dritëhije plepash apo më së paku në konflikt interesi; Një garë e njëanëshme brenda gardhit të rithemelimit për drejtuesit lokalë të një pjese të PD-së, në shkelje të çdo lloj angazhimi për rithemelim të pretenduar gjatë revolucionit paqësor, që përfundoi në një revolucion të riciklimit; Një garë pa garë për kryesimin e asaj pjese të partisë nën hyqmin e Berishës, kundër Ibsen Elezit (dikush do të kujtohet për ekzistencën e zotërisë, fill pas përmendjes së emrit në këto rradhë); Një betejë elektorale e organizuar me nxitim nga Ilir Meta, Sali Berisha dhe Edi Rama, pa u konsultuar me Partinë Demokratike, për t’i siguruar një salvaxhente ish kreut të PD-së të sakatuar pas dhunës së 8 janarit; Disa deputetë, pa bosht e parime por, me frikën e madhe të së ardhmes së tyre, që lëpinë, duke lëshuar pasthirrma kënaqësie, atë që kishin pështyrë mbi Berishën, duke dëshmuar se asgjë parimore nuk kishte në betejën e tyre të deriatëhershme; Një stuhi në gotën mediatike të Tiranës e ngritur sa për interesat e Ramës, që lutet në çdo gjuhë të botës për ta pasur Berishën kundërshtar në çdo palë zgjedhje, sa edhe për interesat e pronarëve të mediave që me telenovelën e përplasjes brenda PD-së, garantojnë vazhdueshmërinë e përfitimeve të tyre nën Ramën, të cilit i garantojnë fitoren, duke pompuar një kundërshtar si Berisha të mundur nga koha, partnerët ndërkombëtarë, e sidomos nga shqiptarët që në 2013 i diktuan pensionin dhe jo fshehjen pas qytetarit digjital.
Të gjitha këto, të harlisura nga propaganda agresive shumëmilionëshe, kishin bërë që qielli rreth foltores të dukej, kujdes, të dukej, i kthjellët nga retë, me pretendimin se revanshi me të cilin Berisha kishte nisur foltoren, kishte përthyer jo vetëm vullnetin e demokratëve por, edhe atë të ndërkombëtarëve, që sipas tyre po “dorëzoheshin” përballë faktit që Berisha është kryetari i PD-së.
Në fakt, e gjithë gjimnastika politike e bërë nga Berisha dhe të tijët, duke përfshirë edhe zborin që i diktoi pjesës tjetër të partisë me stilin e tij polarizues dhe të dhunës verbale, duket se shkoi dëm sepse, jo vetëm mbetet i panjohur dhe i izoluar nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë por, u godit në apogjeun e revanshit të tij nga Britania e Madhe e cila, konfirmoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara por, se gjithashtu hodhi poshtë edhe retorikën konspirative të ndërtuar nga konservatorët e foltores, kur qeveria konservatore (prej vërteti) e Britanisë së Madhe sanksionoi për së dyti Berishën.
Atëherë, ai qielli i mbajtur i pastër artificialisht si në filmin Truman Show, i errësuar disi nga qëndrimi i CDU-së gjermane, e cila u rreshtua me Shtetet e Bashkuara për NON GRATA-t, u nxi totalisht duke ekspozuar realitetin e hidhur përballë të cilit ndodhet Berisha dhe, falë Berishës, Partia Demokratike kur ky i fundit publikoi qëndrimin e Home Office-it britanik.
Një goditje që solli shumë demokratë me këmbë në tokë, sidomos të gjithë ata që kishin pësuar pa shumë vramendje retorikën e Berishës me armiq të jashtëm e të brendshëm, që kishin komplotuar kundër tij dhe PD-së, e që papritur, pas një tollovie njëvjeçare, panë rreth vetes rrënojat në të cilat ndodhet partia që lindi nga protesta e Dhjetorit. Ground zero!
Jo vetëm që NON GRATA amerikane nuk është hequr, por është dyfishuar, e shumë shpejt pritet të shumëfishohet nga vende të tjera partnere. Jo si një gjueti ndaj një njeriu, por si një vendim, që është pjesë e një strategjie për të gjithë Ballkanin, e cila synon të bëjë nëpërmjet sanksioneve, atë që drejtësia dhe qytetarët me votën e tyre nuk arrijnë dot ta bëjnë, prej dekadash. Ndryshim të elitave politike!
Saldimin e tyre në pushtetin e mazhorancës dhe pushtetin e opozitës, e shohim qartë, sepse pavarësisht pozicioneve, prej 32 vitesh, jetët e shqiptarëve kalojnë nën diktatin e tre politikanëve, Berishës, Ramës dhe Metës.
Trekëndëshi i Bermudës, sipas Bashës, por edhe sipas vetë Berishës, Ramës dhe Metës sepse, mjafton të lexojmë deklaratat e tyre në opozitë, kur kanë folur apo flasin për korrupsionin, për largimin e shqiptarëve, për vjedhje, pazare etj., etj., dhe pranojnë, se ky vend është një gropë e zezë që zhduk shpresa dhe ëndrra, por harrojnë, se janë ata demiurgët e këtij realiteti që e kanë ndërtuar duke e qeverisur, në këto tre dekada.
Janë po ata, të interesuarit më të mëdhenj për fitoren e status quo-së, nëpërmjet sulmit dhe relativizimit të NON GRATA-ve, si mjete në dobi të shqiptarëve, e që në mënyra të ndryshme u bënë bashkë për të goditur reformimin që po ndodhte brenda PD-së pas 9 shtatorit, si partia e përzgjedhur edhe njeherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hapur një fazë të re për politikën shqiptare.
Vendosmërinë për të mbajtur këtë status quo, e tregoi më së miri Berisha ditën kur u sanksionua për së dyti, gjatë konferencës për shtyp, dhe pranoi se Lulzim Basha e kishte paralajmëruar se mospranimi i kërkesave të SHBA-ës, do të çonte në shkatërrimin e PD-së. Por Berisha, ishte gati të pranonte këtë fat të zi, madje, siç u dëshmua edhe më 8 janar, ishte gati ta sillte fundin e PD-së, me duart e tij.
Konfirmimi i paralajmërimit të Bashës nga vetë Berisha, në momentin kur PD-ja është më e izoluar, më e përçarë dhe në një rrugë që nuk të çon askund, flet qartë për qëllimet e Berishës dhe rrëzon propagandën e tij rreth Bashës. Ky i fundit u linçua dhe u sulmua në një fushatë baltosëse të paprecedentë, vetëm sepse, përpara interesave të Berishës dhe të tijave, vendosi interesat e Partisë Demokratike.
Dhe koha, i dha të drejtë Bashës!
Me dorëheqjen e tij Basha hodhi poshtë fushatën plot lajme të rreme të ndërtuar nga Berisha, që si pa të keq, i hodhi poshtë akuzat për Bashën, sapo arriti qëllimet e veta, duke i ndërprerë ato ashtu siç mbyllet një rubinet, ç’ka dëshmon edhe njëherë mungesën e seriozitetit në to, por mbi të gjitha, dëshmoi se vendimi i 9 shtatorit, ishte rruga e vetme që mund të përshkonte Partia Demokratike për të mbetur partia që hapi Shqipërinë ndaj perëndimit, për të thyer kështu, monopolin që Edi Rama gëzonte në marrëdhëniet me SHBA-ës, për të kryer një ndarje parimore nga e shkuara dhe, për të çelur perspektivën e një ndryshimi real.
Një ndryshim që përkohësisht u pengua, por që me vendosmëri shqiptarët dhe ndërkombëtarët e kërkojnë, (këmbëngulja e partnerëve kryesor të Shqipërisë me sanksione e dëshmon), e që nuk mund të ndalet nga lojërat me ‘koka turku’, me riciklim apo me ndryshime emrash nga politikanët më jetëgjatë të tranzicionit, që shohin tek njëri-tjetri garancinë e paprekshmërisë së pushtetit të tyre, qoftë ky, në mazhorancë, apo në opozitë.