Nga Ardi Stefa
Për herë të parë në jetën time, sivjet nuk paskam më nostalgji për Dhjetorin ’90 dhe Shkurtin ’91.
Nuk më ngjallin më nostalgji kujtimet e asaj epoke.
Nuk e rijetoj më brenda vetes rënien e diktaturës, e cila më preku, më tronditi, më frymëzoi, ashtu sikundër shumicën e shqiptarëve, pavarësisht se isha dëshmitar e protagonist.
Ndoshta kanë kaluar shumë vite; minimalisht një brez.
Ne që ishim protagonistët e vërtetë të ngjarjeve, që do të jepnin të vërtetën se si ndodhi, ose jemi pa zë dhe kemi hequr dorë si unë, ose jemi ndarë në kampe sipas interesave. Disa janë në moshën e tretë, ndoshta edhe kanë ndërruar jetë.
Dokumentet optike, filmimet, fotografitë bardhë e zi janë vjetëruar dhe, nëse i retushon me ngjyra ngjajnë të gënjeshtërta!
Ngjarjet, stacion e pikënisje, shpesh herë janë përdorur për përdorim partiak e individual, janë përdorur për të krijuar kulte individi e mite, saqë duhet të gërmosh thellë për të gjetur të vërtetën dhe kuptimin e vërtetë.
Nga parulla tendencioze “Diktatura nuk përfundoi në 1990!”, deri tek tendenca për të çmitizuar revoltën e studentëve, qartazi çështja është nëse Lëvizja Studentore rrëzoi tiraninë e Enver Hoxhës.
Jo! Nuk e rrëzoi, ashtu sikundër edhe shpallja e Pavarësisë në 1912 nuk e solli çlirimin e kombit, ashtu sikundër nëntori i 1944-ës nuk solli çlirimin, por një luftë civile!
Megjithatë, Dhjetorin ’90 e kujtojmë dhe e “festojmë”, me mite të gënjeshtërta e mitomanë gënjeshtarë.
Më e hidhura është se ndjenja dhe emocioni sa vijnë e zbehen. Helmohet nga dyshimi.
Për mua liria erdhi kur lirshëm lexoja gjithçka të ndaluar e të censuruar, dëgjoja me zë të lartë muzikën që deri atëherë e dëgjoja me zë të ulët; kur flisja, debatoja e thosha mendimin tim haptazi. Kur votoja ata që besoja se do të sillnin ndryshimin.
Kur vajzat u veshën si vajza dhe dashuronin lirisht në rrugë, parqe pa kompleksin e fajit e të pandershmërisë. Kur shokët e shoqet e mi me pantallonat me xhepa të shpuar ose pantallonat pa xhepa kërkuan fatin dhe atë që u kishte munguar atyre e prindërve të tyre në Evropë!
Por, megjithatë, ekzistonte edhe një tjetër realitet, të tjerë njerëz, shpesh herë të njohurit tanë me pozita e poste të larta në tirani, të cilët, me ndërgjegjen e pistë e duart e ndyra me gjak shqiptar, luftonin e përpiqeshin të dukeshin si më të devotshmit demokratë. Si disidentët më të mëdhenj të diktaturës, të cilët, “të penduar” tallnin e shanin diktatorin, që i kishte vënë nëpër poste, atë diktator, të cilin pak kohë më parë e himnizonin, kuronin, këndonin, i bëheshin rrogoz t’i shkelte!
Ishin dhe ca të tjerë, të cilët hidhnin në erë çdo përpjekje për demokratizim me nostalgjinë për Enver Hoxhën dhe krimet e tij që nuk u dënuan asnjëherë…
Të gjithë ishin qysh atëherë këtu! Dhe shumë më herët. Që nga krijimi i shtetit tonë të lodhur shqiptar.
Të gjithë ata që e donin Shqipërinë si një anije që të lundronte në det të hapur, me velat që drejtoheshin nga shpresa për të ardhmen.
Edhe ata që e shikonin si një fushë të minuar dhe e donin të rrethuar me tela me gjemba, e të “rritej” e vetëizoluar.
Edhe ata që dëshironin krijimin e ndryshimin; edhe ata që hipnin në çdo tren; edhe ata që ndërruan pardesytë e bardha me kostume mijëra euro, edhe ata që motivoheshin thjesht e vetëm nga interesi e përllogaritja.
Dhe kur këtë film e ke parë kaq e kaq herë në këto vite të tranzicionit tonë të llahtarshëm, si mundet të emocionohesh ende?
Dhe megjithatë, përsëri do të përqafosh e duarshtrëngosh me mendje të gjithë ata që dikur u ngritën, që krijuan staturën e profilin e tyre pa pranuar të përfitojnë, e as të marrin mbrapsht atë ç’ka i dhanë atdheut…
Do kujtosh shokët e tu, do të ripyesësh për të qindën herë veten, nëse do të ribëje përsëri të njëjtën gjë, do të gjeje kurajon përsëri të ngriheshe e të rezistoje për të sjellë ndryshimin, edhe pse tashmë e di që diktatura do të zgjasë edhe dyzet, edhe pesëdhjetë vjet, si në Spanjë e Portugali; edhe pse e di që 32 vite më pas elitat nuk do të ndryshohen, thjesht do të riciklohen.
Dhe do të pëshpërisësh me të njëjtin pasion, thirrjen që vazhdon të ngelet busull: “Liri- Demokraci!”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”