Të enjten duket se qeveria do të mbajë një anti-miting. Ka ndodhur edhe në të kaluarën që kur kishte një tubim të madh të opozitës qeveria të tregonte forcë duke mbushur sheshet.
Ka ndodhur edhe kur Sali Berisha ka qenë në pushtet. Edi Rama nuk mund të mos bëjë ndryshe.
Për shkak të tubimit të 7 korrikut të opozitës, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të bëjë një miting në Sheshin Skënderbej me pretekstin se do të festohet 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve me SHBA dhe hapja e negociatave me BE.
Për të thithur sa më shumë njerëz janë thirrur për të kënduar edhe disa nga këngëtarët e njohur si Flori Mumajesi, Alban Skënderaj, Fifi, Ylli Nimani, Çiljeta Xhilaga, Xhensila Myrtezaj, etj. Por asgjë nuk mund t’i lihet rastësisë.
Ndaj për këtë janë angazhuar edhe një herë patronazhistët dhe krerët e arministratës publike e cila ka urdhëruar të gjithë punonjësit që të enjten të jenë në Sheshin Skënderbej.
“Përshëndetje. Në kuadër të 100 vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve me SHBA dhe për të festuar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, jemi të ftuar me datë 28 korrik, ora 19:00 në sheshin Skënderbe.
Pjesëmarrja juaj dhe e punonjësve tuaj është e detyrueshme dhe e domosdoshme. Ju lutemi të konfirmoni numrin e punonjësve që do sillni me emër, mbiemër, numër telefoni , sot deri në orën 15:00. Nesër në orën 16:30 vihet ne dispozicion autobuzat pran drejtoris për në Tiranë. Faleminderit!”- është SMS-ja që i ka shkuar administratës publike edhe në Malësinë e Madhe e publikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Edhe më herët lapsi.al ka raportuar se në një takim që Rama zhvilloi me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste në Shqipëri, la porosi për organizimin manifestimit në sheshin “Skënderbej”.
Me detyrim-përcaktim punonjësit e administratës shtetërore dhe militantët e PS nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen në Tiranë mes temperaturave të larta për të dëgjuar fjalimin e Edi Ramës.