Kari Lake, një ish-prezantuese e lajmeve që la karrierën gazetareske dhe u mbështet nga Donald Trumpi dhe përkrahësit e tij të vendosur, fitoi të enjten zgjedhjet paraprake republikane për guvernatore në shtetin e Arizonës.
Fitorja e zonjës Lake ishte një goditje për drejtuesit e partisë republikane që mbështetën avokaten dhe gruan e biznesit, Karrin Taylor Robson në një përpjekje për ta nxitur partinë të shkëputej nga epoka kaotike e ish-presidentit Trump. Zonja Lake tha se ajo nuk do të kishte çertifikuar fitoren e presidentit Joe Biden në vitin 2020 dhe do të vendoste pretendimet e rreme për mashtrime zgjedhore në qendër të fushatës së saj.
“Arizonasit që janë harruar nga institucionet sapo shkaktuan një tërmet politik”, tha zonja Lake në një deklaratë pas fitores së garës.
Republikanët tani hyjnë në sprintin e zgjedhjeve të përgjithshme me një listë kandidatësh të lidhur ngushtë me zotin Trump, të cilët mohojnë që presidenti Biden të jetë zgjedhur president në mënyrë legjitime. Zonja Lake do të përballet me Sekretaren Demokrate të Shtetit Katie Hobbs në zgjedhjet e nëntorit.
“Kjo garë për guvernator nuk ka të bëjë me demokratët apo republikanët. Është një zgjedhje mes mendjes së shëndoshë dhe kaosit,” tha zonja Hobbs të enjten mbrëma në një deklaratë pas fitores së zonjës Lake.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve që tregonin vetëm fletëvotimet me postë të marra përpara ditës së zgjedhjeve i dhanë zonjës Robson një epërsi të fortë, por kjo ndryshoi pasi votat nga qendrat e votimit iu shtuan numërimit. Fitorja e zonjës Lake u bë e qartë të enjten kur Qarku Maricopa publikoi rezultatet nga mijëra fletë votimi me postë të hedhura në qendrat e votimit të martën.
“Votuesit e Arizonës kanë folur,” tha zonja Robson në një deklaratë “I pranoj rezultatet, e besoj procesin dhe njerëzit që e administrojnë atë”.
Në një sezon zgjedhjesh paraprake me rezultate të përziera për kandidatët e favorizuar nga zoti Trump, ish-presidenti doli fitimtar në Arizona, një shtet që ka qenë në qendër të përpjekjeve të tij për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për të hedhur dyshime mbi fitoren e zotit Biden. Përveç zonjës Lake, kandidati i mbështetur nga ish-presidenti Trump për Senatin amerikan, Sekretarin e Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm, Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA dhe legjislaturën e shtetit, të gjithë fituan zgjedhjet e tyre paraprake të partisë republikane.
Nëse ata fitojnë në nëntor, aleatët e zotit Trump do të kenë ndikim mbi administrimin e zgjedhjeve në një shtet vendimtar fushëbetejë, ndërsa ai konsideron një tjetër garë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Rezultatet tregojnë gjithashtu se zoti Trump mbetet një figurë e fuqishme në partinë republikane.
Ish-nënpresidenti Mike Pence, guvernatori i Arizonës, Doug Ducey dhe ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, bënë fushatë për zonjën Robson në ditët para zgjedhjeve.
Robson, e cila është e martuar me një nga njerëzit më të pasur të Arizonës, e financoi kryesisht vetë fushatën e saj. Ajo i quajti zgjedhjet e vitit 2020 “të padrejta”, por nuk i quajti ato të manipuluara dhe nxiti partinë republikane të shikonte drejt së ardhmes.
Zonja Lake tani përballet me detyrën e vështirë të bashkimit të Partisë Republikane pas një gare të ashpër paraprake. Të mërkurën, ndërsa zonja Lake shpalli fitoren, ajo u përpoq të afrohej me zonjën Robson dhe të tjerët që i kritikoi ashpër, apo edhe republikanë të cilët nuk përputhen me Trumpin për çështjet kyçe.
“Sinqerisht, kjo parti ka nevojë që të bashkohet dhe unë e mirëpres këtë,” tha zonja Lake
Zonja Robson tha se ajo e ka kaluar jetën duke mbështetur republikanët, “dhe shpresoj që kandidatët tanë republikanë të jenë të suksesshëm në nëntor”.
Ashtu si zoti Trump, zonjës Lake i pëlqejnë polemikat dhe konfrontimet. Ajo dogji maskat gjatë rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19 në verën e vitit 2021 dhe sulmoi republikanët që lejuan kufizime për bizneset, megjithëse si prezantueshe lajmesh ajo inkurajoi njerëzit të ndiqnin udhëzimet e shëndetit publik.
Në ditët para zgjedhjeve, zonja Lake përsëriti pretendimet se kishte shenja mashtrimi, por refuzoi të jepte ndonjë provë. Pasi fitorja e saj u sigurua, ajo tha se votuesit duhet të besojnë se fitorja e saj është legjitime.
“Ne e kapërcyem mashtrimin,” tha zonja Lake. Ajo vuri në dukje problemet në qarkun Pinal, ku mbaruan fletët e votimit në disa zona dhe duhej të printoheshin fletë të tjera, por ajo dhe avokati i saj, Tim La Sota, refuzuan të ofronin prova që mbështesin pretendimet për mashtrim.
Ajo tha se nuk ka në plan të ndalojë së foluri për mashtrimet zgjedhore edhe pse i duhet të zgjerojë thirrjen e saj përtej besnikëve që ja dhanë fitoren në zgjedhje.
Zyrtarët federalë dhe shtetërore të zgjedhjeve dhe vetë prokurori i përgjithshëm i ish-presidentit Trump kanë thënë se nuk ka prova të besueshme që zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara. Pretendimet e zotit Trump për mashtrim u refuzuan gjithashtu nga gjykata, duke përfshirë edhe nga gjyqtarët që ai emëroi.