Ylli i muzikës rock, i cili u filmua fshehurazi duke kërcyer në mënyrë intime me kryeministren finlandeze, ka këmbëngulur se nuk janë në një lidhje dashurie.
Olavi Uusivirta, 28 vjeç, pretendoi se ai dhe kryeministrja Sanna Marin, 36 vjeçare, janë thjesht ‘miq’ dhe ‘asgjë e papërshtatshme’ nuk kishte ndodhur mes tyre.
Ai u pa duke i vënë fytyrën në qafë në një moment të videos gjest ky që disa media finlandeze kanë pretenduar se ishte një puthje.
Dëshmitarët i thanë mediave finlandeze se ajo kërceu me dy burra të tjerë në mënyrë të ngjashme dhe u ul në prehrin e dy të tjerëve gjatë natës.
Por kantautori finlandez Uusivirta, i cili u divorcua nga gruaja e tij vitin e kaluar, hodhi poshtë çdo dyshim se ai ishte në një lidhje me udhëheqësen e Finlandës.
Në një postim në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ai tha: “Ka pasur spekulime në publik për cilësinë e marrëdhënies mes meje dhe kryeministres Sanna Marin”.
“Dorën në zemër mund të them se: Ne jemi miq dhe asgjë e papërshtatshme nuk ka ndodhur. Nuk do të komentoj më publikisht për këtë çështje. Kalofshi mirë”.
Paraqitja e tillë e kryeministres ka ndezur një debat në Finlandë nëse ajo duhet të shfaqet në këtë mënyrë e të shoqërohet me miqtë nëpër klube.
Disa komentues e kanë akuzuar atë për sjellje që është e papërshtatshme për një lider botëror. Ndersa, shumë të tjerë janë më të relaksuar dhe thonë se e meriton të shijojë jetën, si kushdo tjetër.