JACKSON HOLE, Uajomi – Kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell, bëri një paralajmërim të fortë të premten për vendosmërinë e Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin me rritje më të mëdha të interesit. Ai tha se mund të shkaktojë dhimbje për amerikanët në formën e një ekonomie më të dobët dhe humbjen e vendeve të punës
Mesazhi pati ndikim të madh në bursën Wall Street, duke e ulur me mbi 1 mijë pikë Mesataren Industriale në Dow Jones.
“Këto janë fatkeqësisht kostot e uljes së inflacionit”, tha zoti Powell në një fjalim të rëndësishëm në simpoziumin vjetor ekonomik të Rezervës Federale, në Jackson Hole. “Por, nëse nuk arrijmë të rikthejmë qëndrueshmërinë e çmimeve, kjo do të thotë dhimbje shumë më të madhe”.
Investitorët patën shpresuar se zoti Powell do të sinjalizonte se Rezerva Federale mund t’i zbuste rritjet e interesit në vazhdim të këtij viti, nëse inflacioni do të vazhdonte të jepte shenja zbutjeje të mëtejshme. Por, kreu i Rezervës Federale dha mesazhin se koha ndoshta nuk është aq e afërt dhe aksionet reaguan duke rënë.
Rritjet e shpejta të çmimeve kanë shkaktuar pesimizëm tek shumica e amerikanëve për ekonominë, megjithëse niveli i papunësisë ka rënë në 3.5%, niveli më i ulët ky në gjysmë shekulli. Rritja e çmimeve ka krijuar gjithashtu rreziqe politike në zgjedhjet e këtij nëntori për Presidentin Joe Biden dhe ligjvënësit demokratë, ndërkohë që republikanët fajësojnë paketën financiare të shpëtimit prej 1.9 trilionë dollarësh të Presidentit Biden të miratuar vitin e kaluar, si shkaktare të inflacionit./ VOA