Dritan dhe Nora Muskurti, prindër të tre fëmijëve të mitur janë vrarë pasditen e kësaj të marte në biznesin e tyre në Tiranë, në rrugën “Islam Alla”. Ata u vranë nga vëllai i Dritanin, shtetasi Arsen Muskurti, me të cilin ishin në konflikt prej kohësh.
Paraprakisht, bëhet me dije se dy vëllezërit kishin hapur një agjenci udhëtimesh dhe çonin besimtarët myslimanë në vendin e shenjtë, në Mekë. Konfliktet për pronësinë kanë bërë që sot Tirana të tronditet nga ngjarja e rëndë, ku vëllai ka vrarë vëllanë dhe kunatën
Dëshmitarët dhe pronarët e bizneseve të tjera aty pranë që i njihnin palët, janë shprehur se viktimat janë pikërisht Dritan Muskurti dhe bashkëshortja e tij. Ata kanë parë dhe autorin, Arsen Muskurtin, duke u larguar me armë zjarri.
Kanë tentuar ta ndalojnë por kur kanë parë që ai ishte i armatosur, janë larguar dhe ata dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë. Autori është larguar nga vendngjarja bashkë me armën e krimit dhe deri tani nuk është mundur të ndalohet.
Dritan Muskurti raportohet se kohë më parë kishte kërkuar mbrojtje në Polici, pasi i frikësohej një sulmi nga i vëllai, autori i sotëm Arsen Muskurti.
“Më datë 30.08.2022, në rrugën “Islam Alla”, dyshohet se si pasojë e një konflikti familjar, shtetasi A. M., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt vëllait të tij shtetasit D. M., 44 vjeç, dhe shtetases N. M., 33 vjeçe (dyshohet bashkëshortja e shtetasit D. M.) të cilët si pasojë kanë ndërruar jetë.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollin e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia e Tiranës.