Largimi i Gledis Nanos nga drejtimi i Policisë s Shtetit erdhi në një kohë kur po zhvillohen paralelisht “telenovela” e zhdukjes së Ervis Martinajt; vrasje pafund nga dita në ditë si edhe futja në periudhën që paraprijnë zgjedhjet lokale në vend, shkruan abcnews.al.
Përpos thënieve dhe kundërthënieve gjatë ditëve të fundit mbi dorëheqjen, shkarkimin apo shkarkimin me dorëheqje të Nanos nga Policia e Shtetit, duket qartë se ka patur një konflikt të hapur mes tij dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Ky i fundit nuk e ka dashur asnjëherë Nanon në krye të Policisë së Shtetit edhe pse ishte një person që u sponsorizua shumë nga amerikanët në atë detyrë.
Reagimi i menjëhershëm i ambasadës amerikane në lidhje me largimin e Nanos nga detyra ishte mesazhi i drejtpërdrejt i tyre në lidhje me këtë vendim të qeverisë për të zgjedhur dikë tjetër, pjesë të kastës, në krye të Policisë së Shtetit.
Gazetarja Klodiana Lala tha sot në News24 se Nano shkeli “në kallo” dhe prandaj u largua nga drejtimi i policisë pa përfunduar reformën në këtë strukturë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe faktin se ishte arrestimi i Jeton Lamit, policit të Operacionales që bëntë badigardin e Ervis Martinajt që u vuri “vulën” vendimit për shkarkimin e tij.
Fakti që as Policia e Shtetit dhe as Ministria e Brendshme nuk reagojnë prej tre javësh mbi misterin që ka rrethuar fatin e Ervis Martinajt konfirmon se brenda këtyre institucioneve ka një “siklet” mbi emrin e Martinajt, një “siklet” që përmblidhet edhe me mbrojtjen që ai kishte nga struktura të caktuara të policisë, të cilats shkojnë deri në nivele të larta. Deklaratat e gazetarit Artan Hoxha në ABC pak ditë më parë duket se e konfirmojnë një fakt të tillë.
Ndërkohë, Shqipëria është duke u futur në një periudhë zgjedhore, ndërsa dy aktorë të fuqishëm si Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë “shpallur luftë” që nga shtatori. Duket të jetë një luftë për “jetë a vdekje” mes këtyre dy liderëve dhe drejtuesve të maxhorancës, gjë që ka bërë që radhët të shtrëngohen dhe në to të ketë vetëm pjestarë të “unazës”.
Nano ikën nga Policia e Shtetit pa përfunduar reformën, pa zbuluar se kush ishin ata drejtues policie që financohen nga krimi i organizuar për ta mbrojtur dhe informuar këtë të fundit, edhe pse kishte nisur një hetim i thelluar në këtë drejtim. /abcnews.al