Nga Hysni Ndreu
Para pak ditësh u njohëm me një shkresë zyrtare të dalë nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet së cilës urdhërohej shkarkimi i zotit Edvin Shvarc nga pozicioni i drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Median. Lajmi mori dhënë dhe reagimet qenë të shumta. Madje, kësaj here pati nga ata që, edhe pse të lidhur me pushtetin, arritën të kapërcenin bindjet partiake, duke u shprehur kundër këtij shkarkimi. Kjo gjë duhet përshëndetur, sepse është diçka që nuk ndodh shpesh në nahijen tonë, madje as kur është fjala për raste shumë më të rënda se ky.
Shkarkimi i zotit Shvarc befasoi shumëkënd. Natyrisht, edhe mua. Megjithatë, arsyeja që më shtyu të shkruaj këto radhë lidhet me diçka tjetër, sipas meje, edhe më e rëndësishme, por edhe më shqetësuese se urdhri për largimin e tij nga puna. Është fjala për dhunën që ushtrohet ndaj gjuhës shqipe në shkresat zyrtare.
Përpara se të merremi konkretisht me këtë, dua t’ju jap një shembull, i cili na tregon se sa vlerësohet shkrimi i saktë i gjuhës amtare në vendet perëndimore. Tre vjet më parë, në një njoftim për vende të lira pune që publikonte një gazetë gjermane, kërkoheshin redaktorë dhe korrektorë gjuhësorë, të cilët si punë të tyre do të kishin redaktimin dhe korrektimin e etiketave që vendosen në shishet e ujit apo në shishet e pijeve freskuese. Ishte fjala për ato letrat/plastikat që u vendosen shisheve rreth e qark, në të cilat shkruhen emri dhe një përshkrim i shkurtër i produktit, përbërësit dhe përmbajtja e tij, si dhe informacione të tjera.
Sigurisht unë nuk pretendoj që kjo gjë të ndodhë edhe në Shqipëri, por është vërtet shqetësuese, kur sheh se, edhe në shkresat zyrtare, që dalin nga institucionet më të larta të Shtetit Shqiptar, gjuha shqipe dhunohet e përçudnohet në mënyrë të frikshme. Le ta shohim më konkretisht këtë te shkresa që urdhëronte largimin nga puna të zotit Shvarc.
Që në titull të saj, fjala “marrëdhënie” është shkruar me ‘r’ dhe jo me ‘rr’, siç e do rregulla. Përveç kësaj, është lënë pa u vendosur edhe një ‘ë’, çka e çon në dy numrin e gabimeve brenda së njëjtës fjalë. Fakti që shkruhet në të njëjtën trajtë edhe dy herë të tjera më poshtë, tregon se nuk kemi të bëjmë me një gabim shpejtësie, por me padije të mirëfilltë. Gabim shpejtësie mund të quanim rastin tjetër, në po të njëjtën shkresë, ku mbiemri ‘e ndryshuar’ është shkruar ‘e ndryshuar’.
Përveç sa më sipër, titulli ka edhe mangësi në konceptim. Pra, është i shprehur gabim dhe, në të vërtetë, nuk thotë asgjë. Titulli në fjalë është emërtuar “Për përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil”. Së pari, për cilën marrëdhënie është fjala? Marrëdhënien shoqërore, marrëdhënien me punën apo marrëdhënien seksuale? Kjo mbetet e papërcaktuar, e paspecifikuar. Më anë tjetër, fjala “marrëdhënie” përbëhet nga dy njësi gjuhësore: marr dhe jap. Kjo do të thotë se përdorimi i saj në fjali nënkupton së paku pjesëmarrjen e dy individëve, dy palëve, ose të një individi me një institucion apo të dy institucioneve të ndryshme, të cilat marrin e japin me njëra-tjetrën ase nga njëra-tjetra. Nëse me njërën palë Institucioni i Presidentit të Republikës nënkupton të shkarkuarin nga puna, ndërsa me palën tjetër shërbimin civil, atëherë gabohet kur përdor parafjalën “në” (në shërbimin civil). Në rastin konkret fjala “marrëdhënie” duhet të pasohet nga parafjala “me” ose “ndërmjet”. Pra, marrëdhënia e njërës palë me palën tjetër, ose marrëdhënia ndërmjet njërës palë dhe palës tjetër, por assesi marrëdhënia e njërës palë në palën tjetër. Megjithëkëtë, unë nuk besoj se këtu është fjala për shërbimin civil si palë. E parë kështu, institucionit në fjalë i lind detyra ose të gjejë palën që mungon, ose të specifikojë/përcaktojë se për ç’marrëdhënie (siç.) bëhet fjalë.
Në vijim përballemi me një fjali, gjatësia e së cilës shkon në shtatë rreshta, ose një paragraf i tërë. Kjo nuk do të përbënte problem, nëse do të përdoreshin si duhet shenjat e pikësimit. Po t’u shtojmë këtyre edhe përsëritjen e njëpasnjëshme të strukturave të tilla si “pika kaq e nenit aq të ligjit kaq të datës aq”, kalojmë në një situatë të rëndë keqtingëllimi, e ngjashme me rropamat e këngëve që na ofrojnë të ashtuquajturit rrepistë të muzikës shqipe, të cilave ua dëgjojmë tamtamet, por nuk kuptojmë asgjë.
Jam i ndërgjegjshëm se shkresa të kësaj natyre janë të ngjeshura nga pikëpamja leksikore, të ngarkuara kuptimisht e të ndërlikuara me pika, nene, ligje, data e vite, por pikërisht për këto cilësi që kanë duhen shkruar, strukturuar e menduar me kujdes. Në rastin e fjalisë-paragraf të shkresës në fjalë do të kishte ndihmuar shumë përdorimi i pikëpresjes. Pikëpresja është një shenjë pikësimi që mund të përcaktohet si diçka ndërmjet pikës dhe presjes, ose as pikë, as presje, por me një funksion mjaft të mirë për shkresa të këtij soji. Ajo do ta ndante fjalinë e mësipërme në pesë pjesë më të vogla. Si rezultat do të kishim një strukturë fjalie më të pranueshme, çka do të shmangte keqtingëllimin, për shkak se secili segment/secila pjesë do të mbante mbi vete “përgjegjësitë” dhe peshën që i takon. Pra, do të mbante pikën e vet, nenin e vet, ligjin e vet, datën e vet, vitin e vet, por edhe ngarkesën e vet kuptimore. Një ndarje e tillë do të shmangte çoroditjen e lexuesit dhe do t’ia lehtësonte ndjeshëm perceptimin e kuptimit të fjalisë. Këtu dua të ndalem pak edhe te një standard i dyfishtë që është përdorur në shkrimin e shkurtimit të fjalës “Numër”. Për shembull, në një rast fjala “Numër” është shkruar me shkronjë të vogël (nr.), në një rast tjetër me shkronjë të madhe (Nr.).
Një standard po i dy-e-trefishtë përdoret edhe në vijim, kur renditen pesë pikat e urdhrit të presidentit, secila pikë me “kokë më vete”. Kështu, në pikën 1 zoti President urdhëron “Përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil…”; në pikën 2 urdhëron “Marrëdhëniet financiare në këtë detyrë…”; në pikën 3 urdhëron “Z. Shvarc të bëj dorëzimin…”; në pikën 4 urdhëron “Njoftimin e Departamentit të Administratës Publike…” dhe në pikën 5 urdhëron “Ngarkohen Drejtoria e Buxhetit dhe Mirëmenaxhimit Financiar…”.
Por nuk ndalen me kaq. Në pikën 1 hasim në një fjali, e cila mund të jetë gjithçka, por vetëm fjali e gjuhës shqipe jo. Po e sjell këtu: “Konstatimit të diplomës të pa njësuar nga Ministria përgjegjëse e Arsimit, sipas procedurës së parashikuar në legjislacion, përpara se të konkurronte në shërbimin civil.”
Në të njëjtën fjali (le ta quajmë kështu, sa për t’u dhënë drejtim argumenteve) ka edhe dy gabime të tjera, po aq të trasha sa ai që lamë pas. I pari ka të bëjë me përdorimin e nyjës, ku ngatërrohet gjinia femërore me gjininë mashkullore. Shkruhet “… diplomës të pa njësuar”, kur duhej shkruar “diplomës së pa njësuar”, sepse kemi të bëjmë me një mbiemër të nyjshëm të shkallës pohore, i cili vjen pas një emri në trajtën e shquar të gjinisë femërore.
Për më tepër, dhe këtu kalojmë te gabimi i radhës, edhe vetë mbiemri “e pa njësuar” është shkruar gabim, pasi duhej shkruar bashkë (e panjësuar) dhe jo ndaras. Pra, njësoj si i padrejtë, e pabarabartë, e paaftë etj.).
Ndërsa në pikën 3 të Urdhrit, mënyra lidhore e vetës së tretë njëjës të foljes “bëj” shkruhet “të bëj”. Pra, mungon një ‘ë’ në fund. Unë të bëj/ ti të bësh/ ai (zoti Shvarc) të bëjë.
Tani le të kthehemi edhe një herë te zoti Shvarc, zellin e të cilit për gjuhën shqipe e njohin të gjithë ata që kanë lexuar ndonjë vepër të përkthyer prej tij. Nëse shkresën në fjalë do t’ia kishin dhënë për redaktim vetë atij, pra, të shkarkuarit nga puna, jam i bindur se do të pranonte ta bënte me shumë kënaqësi, për një arsye madhore: për hir të gjuhës shqipe, zoti President.