Rruga e Arbrit, e cila ka përfunduar së ndërtuari pjesërisht nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik-Privat mori deri në fund të korrikut 2022 mori 27% të financimit total.
Të dhëna zyrtare nga Departamenti i Thesarit në Ministrinë e Financave tregojnë se nga fillimi i punimeve deri në fund të muajit korrik të këtij viti janë paguar 10,1 miliardë lekë ndaj kompanisë ose rreth 27% e financimit total prej 36.4 miliardë lekësh e dhënë nga Thesari së fundmi.
Teksa punimet në këtë segment nuk kanë përfunduar për shkak të problematikës në tunelin e Murrizit, qeveria ka humbur seriozitetin në raportin e kostove reale të rrugës.
Në raportin vjetor të koncesioneve 2020, që u hartua nga Ministria e Financave, vlera e investimit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit raportohet 26 miliardë lekë, ndërsa Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave (projektet e investimeve), për arsye të pagesave, e kontabilizoi kontratën e Rrugës së Arbrit me 39 miliardë lekë në vitin 2020. Në buxhetin e vitit 2019, Ministria e Financave e riprogramoi financimin e Rrugës së Arbrit në 58 miliardë lekë në projektbuxhetin që paraqiti në Parlament.
Në të gjitha raportimet deritanishme të Ministrisë së Financave, vlera e Rrugës së Arbrit paraqitet e ndryshme (dhe kjo nuk ka lidhje me vlerën me TVSH dhe pa TVSH). Kjo vlen edhe për kontratat e tjera koncensionare, vlera e të cilave ndryshon nga kontratat në raportimet rutinë që bën Ministria e Financave.
Edhe pse qeveria e përuroi Rrugën e Arbrit vitin e kaluar, afatet e ndërtimit të saj përfunduan këtë pranverë, ndërkohë objekti ende nuk ka përfunduar dhe ka një cilësi të dobët. Inxhinierët e fushës pohuan se, kostot ishin mjaft të larta nga studimet fillestare të fisibilitetit, teksa koncensionari nuk respektoi parametrat e gjerësisë, shesh- pushimet, mbrojtjen anësore të skarpateve, etj.
Afati i kohëzgjatjes së ekzekutimit të kontratës është 13 vjet, ndërkohë që punimet nisëm më 2019. Rruga e Arbrit nuk është një projekt i ri, ajo ka nisur zbatimin në kohën e qeverisë “Berisha” gjatë së cilës u ndërtuan disa pjesë të segmentit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, kur nisi koncensioni ishin ndërtuar plotësisht 20.12 kilometra, pjesërisht në 15.175 km dhe ishin të paprekura nga punimet 26.3 kilometra.
Në total janë 61.6 kilometra të projektuar për gjurmën kryesore. Sipas studimit të fizibilitetit të hartuar rreth vitit 2005, e gjithë gjurma Tiranë-Bllatë (pika kufitare me Maqedoninë) sipas këtij varianti gjatësia afërsisht është rreth 73.5 km, çka do të thotë se afërsisht 1.8 km rrugë kur nisi zbatimi i kontratës PPP nuk kishin projekt./ Monitor