BallinaOP EDRipërkufizimi territorial i Bashkisë së Shkodrës

Ripërkufizimi territorial i Bashkisë së Shkodrës

spot_img

ROMEO GURAKUQI

Po i kthehem sërish çështjes së reformës së re territoriale dhe administrative, për shkak se në tavolinat e “reformatorëve” të mandatuar nga Parlamenti për të krijuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të arsyeshme është paraqitur një skicë për reduktimin drastik të territorit të Bashkisë së Shkodrës, e cila nuk ka parasysh aspak gjeografinë, traditën dhe mënyrën se si ka funksionuar jeta ekonomike, tregtare dhe kulturore e banorëve të anëve tona. E keqja më e madhe është kjo skicë me gabim elementar historik, qenka shndërruar në bindje të vendimmarrësve kryesorë me tagër mbi rikonfigurimin e Qarkut të Shkodrës, ndërkohë që publiku dhe qytetarët nuk kanë asnjë lloj dijenie.

Nuk bëhet fjalë për ristrukturimet e nevojshme, të drejta që ekzistojnë në projekt, të diktuara nga ecja përkundër historisë e projektuesve të njëpasnjëshëm të kohëve të shkuara diktatoriale dhe postdiktatoriale, por për vendosjen e disa kufizave të reja administrative, që i copëtojnë Shkodrës basenin e saj ujor, përmes të cilit ajo përherë, në kohët i lirisë tregtare e të lundrimit, ka qenë e lidhur me Adriatikun, si edhe të tjera copëzime që i heqin asaj hambarin ekonomiko-financiar, një prej pasurive më të mëdha turistike. Bëhet fjalë për një projekt të heqjes nga Bashkia Shkodër të Velipojës dhe të gjithë zonës rurale përgjatë rrjedhës së Lumit Buna, arteries ujore të komunikimit me pjesën tjetër të Shqipërisë. E papranueshme, e dëmshme dhe sërish në linjat e politikave të stërhollueme kundër interesave të qytetarëve të Shkodrës. Dikur malazezët i patën marrë Shkodrës Liqenin, lidhjen tradicionale vllaznore me Ulqinin etj., ndërsa në vitin 2022 “projektuesit” e Riformatimit Territorialo-Administrativ të Parlamentit të Shqipërisë, paskan skicuar marrjen e Bunës dhe Velipojës nga Kryeqendra e Labiatisë.

Siç e kam shkruar edhe pak ditë më parë, duket qartë se skicuesit operojnë fatkeqësisht me “numra”, në varësi të një kërkese të hershme për balancimin e Shqipërisë, por aspak mbi një metodë shkencore, nga do të duhet të nisen për ta kuptuar Shqipërinë, vend për vend, interesat qytetare, krahinë për krahinë. Dikur na ka takue me pa ikjen e Opozitës nga tavolina e ndërmjetësueme nga ndërkombëtarët për reformën territoriale, duke e lanë Shkodrën dhe Shqipërinë në duart e “copëtuesve” dhe “krijuesve” të Edi Ramës dhe rrethit të tij. 8 vite ma vonë shohim përfaqësuesit e opozitës të hyjnë me të drejtë në një tavolinë ku diskutohet korrigjimi i arsyeshëm i Shqipërisë, por pa një projekt të ndërtuar nga ekspertë të mirëfilltë. Dhe unë nuk dua të besoj se diktues të skicimit të të ri të Qarkut të Shkodrës kanë qenë ëndërrues të sundimeve permanente, paragjykues të një bote që e kemi kapërcye, ose nga ideatorë që nuk e kanë shkelur qarkun cep me cep, nuk njohin të kaluemen dhe nuk guxojnë të takohen me qytetarët e vet.

Këto rreshta nuk po i shkruaj me synimin për të dëmtuar ndokënd, por për të ndalur damtorë që mund të shkaktojnë padrejtësi dhe bëjnë gabime të rënda me pasoja afatgjata mbi qytetin dhe krahinën tonë.

Edhe një herë dua të përsëris se korrigjimet në ligj duhet të zhbëjnë përpjekjen e deritanishme të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, për ta shndërruar Shkodrën 3000-vjeçare në një periferi të varfër dhe të rrënuar të Shqipërisë, ta ndihmojnë atë për t’u ringritur ekonomikisht, territorialisht dhe administrativisht:

1. Si kryeqendër administrative të Rajonit të Shqipërisë së Veriut, në të cilën do të duhet të rivendosen të gjitha drejtoritë qeveritare;

2. Si qendër e një qarku që duhet të ristrukturohet territorialisht me bashki, mbi linjat e veta historike, gjeografike, ekonomike dhe kulturore;

3. Si një Bashki me të ardhuna të mjaftueshme për t’u modernizuar dhe stabilizuar, që ndihmon qytetarinë të ringrihet dhe emigrantët të kthehen në vatrën e tyne.

Propozimi që prej shumë kohësh kam bërë është që Qarku i Shkodrës të përbëhet nga këto bashki:

1. Bashkia e Malësisë së Madhe me qendër në Bajzë, me njësitë administrative Kastrat, Kelmend dhe Shkrel, të cilave u shtohet edhe Njësia Administrative e Hotit. Pavarësisht se pjesa më e madhe e vendbanimeve të Hotit ndodhet arbitrarisht në Republikën e Malit të Zi, qeveritarët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se Malësi pa Hot nuk mund të ketë. Në këtë njësi të re administrative duhet të përfshihen: Kusha e Hotit, Hani i Hotit, Lulash Pepajt, Dajçi i Hotit, Kolaj, Deckaj, Gryka e Kushes, Brixha, Starja dhe Rapsha. Bashkia e re do të duhet të mbështetet për një periudhë së paku 10-vjeçare nga Qeveria, financiarisht, administrativisht dhe me burime njerëzore. Investimi i rrugëve: Tamarë- Vukël dhe Razëm-Fusha e Zezë (bjeshkët e Kastratit).

2. Bashkia e Mbishkodrës me Qendër në Koplik, e përbërë nga njësitë administrative Koplik Qendër, Koplik i Sipërm deri në kufijtë e Shkrelit tradicional, Gruemirë, si dhe krijohet njësia administrative Gril Shtoj;

3. Bashkia Dukagjin me qendër në Breg të Lumit, ose në Prekal, e përbërë nga: njësitë administrative Shalë, Shosh, Pult, Shllak dhe Temal (Mbetët për t’u diskutuar mbi pozicionin e Nikaj Merturit në ndarjen e re). Bashkia e re do të duhet të mbështetet për një periudhë së paku 10 vjeçare nga qeveria, financiarisht, administrativisht dhe me burime njerëzore. Ndërtimi i arterieve të jetës dhe zhvillimit në këto anë është thelbësor për funksionimin normal të njësisë së re dhe zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit: a-Rrugës së Drinit (Laç i Vaut të Dejës- Koman-Fierzë-Gjakovë); bRrugës Prekal-Kir –Mali Shoshit- NdreajBreg Lumit Thethë; c. (ose të projekti alternativ) Rrugës Prekal- Ndërvenë (vendi ku duhet të fillojë aksi i ri) – Lugina e Libriqes (aks i ri) – Le i Keq- Nicaj ShoshDardhë -Pepaj Shosh-Portat e ShalësTheth (55 km nga Shkodra) dhe më pas nga Portat e Shalës- Vuksanaj-fshati BobFshati Salcë- Lekbibaj-Fshati Telaj-Dushaj -Bajram Curri-Gjakovë).

4. Bashkia Shkodër, e përbërë nga Qyteti Metropolitan i Shkodrës, me 5 rajone që duhet të jenë njëkohësisht edhe 5 zona elektorale në qytet në sistemin maxhoritar, ose në llogaritjen proporcionale të përfaqësisë kombëtare, ose krahinore; Njësia Administrative Rrethina, e zvogëluar tanimë nga heqja e një pjesë të fshatrave në pjesën veriperëndimore të qytetit; njësitë administrative Postribë, Guri i Zi, Berdicë, Ana e Malit, Dajçi i Bregut të Bunës dhe Velipojë.

5. Bashkia e Laçit të Vaut të Dejës që do të përfshijë Vaun e Dejës Qendër, Hajmel, Bushat dhe Vig Mnelë. E lidhur me këtë pikë është edhe çështja e Zadrimës dhe e rikalimi i saj në Qarkun e Shkodrës. Bashkia e Sapës/ Zadrimes duhet të përfshijë fshatrat e rrjedhës së majtë të Drinit, me njësitë Blinisht, Dajç Kallmet dhe me kryeqendër në Nënshatë të cilat duhet të shkëputen nga Bashkia e Lezhës. Kthimi në Qarkun e Shkodrës i Zadrimës, sipas mendimit tim, do të kushtëzonte bashkimin e kësaj ane me Lacin e Vaut të Dejës dhe një ripozicionim të Bushatit në ndërlidhje me Shkodrën. Çështje që kërkon vlerësim të mëtejshëm.

6. Bashkia Pukë (investimi i rrugës Shkodër-PukëFushë-Arrës).

7. Bashkia Fushë-Arrës (Kjo e fundit në varësi të rikonfigurimit të Qarkut të Mirditës. Krijimi i Qarkut të Mirditës është një prej detyrave qe ka komisioni, por qe nuk dihet ende nëse është kuptuar).

Për shkak të gabimeve të përsëritura, mungesës së përgjegjësisë për zgjidhjen e drejtë të çështjes, vullnetit të munguar për të njohur trashëgiminë shtetformuese në këtë aspekt më lind e drejta të them se skicimi i ndarjes së re territoriale të Shqipërisë do të duhet të hartohet prej një ekipi specialistësh të historisë, antropologjisë kulturore, gjeografisë së Shqipërisë, të drejtës, të ekonomisë, të pushtetit vendor etj. Nuk është e nevojshme të ndërtohen ekipe të mëdha, as të zhvillohen tryeza formale propagandistike me pjesëmarrës që nuk kanë lidhje me këtë reformim. Do të mjaftonte emërimi i një ekipi të vogël specialistësh të mirëfilltë dhe konsulenca me njohësit krahinorë të etnografisë, territorit dhe nevojave zhvillimore.

Shqipëria duhet të rivendoset në balancën historike të fillesës shtetërore të epokës moderne, balancë e dhunuar nga diktatorialët dhe e injoruar për inerci shume gjatë nga tranzicionistët; të drejtat komunitare do të duhet të respektohen; kushtet për zhvillim të njësuar dhe simetrik do të duhet te krijohen; bazamenti juridik për përfaqësim elektoral të të gjitha krahinave në Parlamentin e Shqipërisë dhe të të gjitha komuniteteve në parlamentet krahinore, duhet të ristabilizohen; e drejta e emigrantëve për të votuar në kolegjin elektoral të origjinës nga kanë ikur, duhet të garantohet.

Reforma Territoriale Administrative shkon e lidhur ngushtë me Reformën Elektorale dhe korrigjimin strukturor të Ligjit mbi Partitë Politike. Kryerja me drejtësi dhe kompetencë e reformës së parë do të krijojë kushtet për rivendosjen e kufizave më të drejta për përfaqësinë parlamentare. Por rezultati që pret publiku nga dy reformat e para në asnjë rast nuk do të jetë ai që shpresohet, në qoftë se partitë politike nuk do të shndërrohen në organizata të mirëfillta demokratike, elitare, të ndryshme nga njësite fondmbledhëse ilegale të kryetarëve të përjetshëm, strukturat familjare dhe nepotike dhe vendet e grumbullimi të përfituesve të të gjitha shkallëve, niveleve dhe ‘specialiteteve’.

Pyetja është kush mund ta udhëheqë këtë proces të ndërlikuar dhe të ndërvarur tredimensional, për të cilin është i interesuar publiku?

Sa është e interesuar qeveria dhe klasa politike në tërësi, për reformimin e saktë të sistemit politik shqiptar, që deri me tash dhe kështu siç është, ka prodhuar ‘mbretër’ dhe ‘besnikë’, korrupsion, përfaqësi të pilotuar dhe pa autoritet, taraf, sundim të oligarkisë zhvatëse dhe zbrazje të vendit?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular