Policia në Peru ka zbuluar 2.3 ton kokainë të pastër, si rezultat i goditjes së një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ky rrjet drejtohej nga biznesmeni italian Pasquale Bifulco dhe shqiptari Kadri Gjoci. Në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë, shkruajnë mediat e huaja.
Agjentët arritën që të shkatërrojnë rrjetin e trafikut të kokainës, që lëndën narkotike e dërgonin në vendet perëndimore të Europës, kryesisht në Gjermani dhe në Itali.
Në pranga ranë italiani Bifulco 49 vjeç, shqiptari Gjoci, 28 vjeç, si dhe peruanët Luis Alberto Narbasya Huayanay, 57 vjeç, të cilit iu sekuestruan 5 kilogramë 300 gram kokainë, dy automjete e pajisje komunikimi, si dhe Elmer Cardenas Ramirez, 56 vjeç, të cilit iu konfiskuan një armë gjahu, dhe 2 armë zjarri të tjera.
Ngarkesat e drogës u nisën nga Alto Huallaga për në Lima dhe Tumbes në mënyrë që të transportoheshin në det nga porti i Callao në Evropë.
Agjentët pasi mësuan se organizata kriminale po dërgonte një ngarkesë të konsiderueshme droge drejt Italisë dhe Hamburgut (Gjermani) vazhduan me çmontimin e rrjetit.