“Lobimi rus”, Alibeaj: Nuk ka ndodhur kurrë. Pas takimit me Yuri Kim: Problem kryesor kapja e SPAK nga qeveria.
Pak ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj u takua me ambasadoren amerikane, Yuri Kim. Lajmet për financimet e supozuara ruse të PD ishin akoma të freskëta, por zoti Alibeaj thotë se nuk i ka kërkuar një sqarim ambasadores për detajet nga raporti i inteligjencës amerikane. “Unë jam i qartë se PD as ka qenë, as është dhe as do të jetë kurrë nën influenca të tilla ruse. Për gjëra që jam i bindur, nuk i kërkoj askujt të më provojë bindjen time. Çështja është hetuar, ka një vendim gjyqësor dhe për çështje që ka vendim gjyqësor, pak ngelet për të diskutuar.”- thotë Enkelejd Alibeaj për emisionin “Pa Censurë”.
Çështjet me natyrë urgjente që u interesojnë tani demokratëve dhe për të cilat kërkojnë mbështetjen e SHBA janë reforma territoriale dhe reforma në drejtësi. “Ne duam që reforma territoriale të miratohet tani që të jetë e gatshme për zbatim në zgjedhjet e ardhshme lokale.”- u shpreh zoti Alibeaj, i cili ka dhe një shqetësim të madh për përpjekjet e vazhdueshme të PS për kapjen e drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut.
Elona Meço: Ka një kërkesë nga SPAK për heqjen e kufizimit për rikandidim të prokurorëve dhe drejtuesit të SPAK. Jeni dakord?
Enkelejd Alibeaj: Është një çështje që do të diskutohet me deputetët. Megjithatë, e kemi thënë edhe kohë më parë që, lidhur me SOAK-un, disa arritje të zbehta, por që arritje janë, do të duhet t’ia njohim. Për këtë arsye qendrimi im është që drejtësia sot do të duhet mbështetur, sepse rreziku për të vazhduar të kapet nga pushteti është gjithmonë edhe më iminent. Të enjten e kaluar kishim për të votuar anëtërin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që vjen nga bota akademike. Me short u zgjodh. Qendrimi i PS cili është? E kundërshtuan. Që tregon fare qartë dëshirën për të kapur KLP-në më tepër se ç’e kanë kapur, në mënyrë që të induktojnë se kush do të jenë anëtarët e SPAK-ut apo kryeprokuror i SPAK-ut. Kësaj ne duhet t’i themi STOP.