Nga Edlira Devolli
Vjeshta e vetmisë së madhe.
Vjeshta e vetmisë së madhe.
Berisha dhe Meta “sfilojnë” para opinionit publik, herë si miq e herë si armiq besëprerë.
Shahen e ndahen, pajtohen e përqafohen. Koordinojnë të dy kaq mirë, sa të thuash se ka një dorë që i dirigjon apo komandon si kukullat marionetë.
Po aq i dukshëm është edhe fakti se të dy kanë një insistim të jashtëzakonshëm, për të qëndruar në pushtet sa të kenë frymë. “Ndërrojne lëkurën”, herë si ujqër të uritur, e herë këtij imazhi ujk i hedhin përsipër lëkurën e qingjit të butë. Aty shkrihen e tregojnë duke hyjnizuar demagogjinë, se nuk duan të vdesin në karriget e pushtetit, por e bëjnë sakrificë për Shqipërinë, shqiptarët dhe partinë.
Tani janë në hall nga vetmia. Shpikin takime me nga shtatë a njëmbëdhjetë pjesëmarrës.
Te inceneratori i lanë vetëm. Njerëzit e kuptojnë se nuk po luftojnë për hallet e qytetarëve, kanë sikletin e tyre. U duhet të jenë nëpër media ç`do ditë. Vrapojnë në takime me nga një grusht njerëzish herë në Fier, e herë në ndonjë lagjje të Tiranës. Pastaj për 10 veta në takim sa në Pukë, e deri në Ersekë.
E dinë fundin, e dinë dështimin. Pandehin se në këto kohë të trazuara në politikën botërore, i thonë Amerikës se bëjmë atë që kemi ditur të bëjmë përherë. Krijojmë rrëmujë, krijojmë tension. Do ia vinin zjarrin në shtator, tani presin shirat për të justifikuar pjesëmarrjen.
Në këto muaj po ju pakësohen dhe rradhët e ithtarëve që u turrën pas tyre në ato fillime. Një pjesë e madhe e kanë kuptuar se i tërhoqën në qorrsokak, në tunelin pa dalje. Dëgjojuani fjalimet! Të njëjtat teza, i njëjti fjalor, të njëjtat akuza deri aty ku ua do puna. Shumë tema nuk i prekin se janë vetë brenda tyre.
Problemin dhe problemet i kanë me veten, me hallet e tyre. Asgjë nuk bëjnë për ne.
Ja, po vijnë zgjedhjet. E coptuan opozitën, mbajnë nga një turmë pas vetes, bëjnë zhurmë e presion për llogari të tyre dhe mbajnë në pushtet sivëllain e tyre, Edi Ramën, shkatërruesin e radhës të këtij vendi e populli fatkeq.