BallinaBotaGjermania ndan 200 miliardë euro për t’i përballuar kostot e energjisë

Gjermania ndan 200 miliardë euro për t’i përballuar kostot e energjisë

Qeveria gjermane miraton një mburojë të re kundër rritjes së çmimeve të energjisë. Synimi i fondit të ri është parandalimi i kostos së lartë ekonomike dhe sociale të krizës energjetike.

mimet e larta të energjisë dhe ndalesa e furnizimit me gazin rus e kanë shtrënguar qeverinë gjermane të shpalosë një ombrellë të re krize. Ajo kap shumën prej 200 miliardë euro dhe synon të mbajë të stabilizuar ekonominë gjermane gjatë dimrit:

“Rusia po përdor gazin si një armë politike. Ne jemi të përgatitur ndaj kësaj situate dhe i kemi mbushur depot deri në 90 përqind, por çmimet mbeten të larta dhe ato duhen ulur”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz në një konferencë për media, të enjten në Berlin. Sipas Scholzit edhe sabotimet e konstatuara këtë javë në gazsjellësin Nord stream 1 dhe 2 e vërtetuan përfundimisht se nuk mund të pritet më gaz nga Rusia. ” 200 miliardë eurot që do të përdoren për të frenuar rritjen e çmimit të energjisë do të vijnë nga Fondi i Stabilizimit Ekonomik”. Ky fond u ngrit në vitin 2020 me rastin e pandemisë.

Frenimi i çmimit të gazit

Scholz tha se qeveria ka ngarkuar një komision ekspertësh për të hartuar një koncept për frenimin e çmimeve të gazit. Komisioni do t’i prezantojë rezultatet deri në mes të tetorit, tha kancelari socialdemokrat, i cili e prezantoi konceptin së bashku me  dy ministrat që përfaqësojnë dy partitë e tjera të koalicionit: Robert Habeck, ministri i ekonomisë i Të Gjelbrit dhe Christian Lindner, ministri liberal i financave. Scholz vetë merrte pjesë në konferencën për media me video, pasi që nga fillimi i javës, kur u testua pozitiv me koronavirus, ai ndodhet në karantinë.

Hiqet dorë nga tarifa shtesë e gazit 

“Mburoja e re mbrojtëse synon të shmangë kriza edhe më të mëdha”, tha zëvendëskancelari dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck. Ai megjithatë tha se edhe pse depot e gazit janë plot, duhet të vijohet të kursehet. Tregu i gazit duhet të dizajnohet në atë mënyrë që të vijohet të nxitet kursimi.

Kohët e fundit  qeveria gjermane ndodhej shumë në presion për  shkak të të ashtuquajture tarifë shtesë për gazin, që do të ishte  2.4 cent për kilovat orë dhe do të hynte në fuqi të shtunën e ardhshme. Kjo tarifë e re synonte të mblidhte më shumë se 30 miliardë euro nga konsumatorët fundorë për të financuar kësisoj  importuesit e gazit që ishin në gjendje të vështirë ekonomike për shkak të mungesës së dërgesave ruse. Tani ky kompensim do të bëhet nëpërmjet Fondit të Stabilizimit Ekonomik.

Inflacioni rekord  

Kjo masë ishte që në fillim shumë e diskutueshme, sidomos duke pasur parasysh faktin, që inflacioni po rritet me hapa galoponte. Vetëm të enjten, Enti Federal i Statistikave bëri të ditur se inflacioni në shtator është 10,9 përqind, më i larti që nga viti 1994. Tarifa e shumëdiskutuar për gazin u bë e tepërt edhe për shkak të vendimit që mori qeveria gjermane javën e kaluar për ta shtetëzuar importuesin kryesor të gazit në Gjermani, Uniper.

Ministri i financave Christian Lindner tha se mburoja synon pikërisht që t’i kundërvihet inflacionit. Përveç frenimit të çmimit të gazit, ajo parashikon edhe një moratorium për reduktimin e barrierave burokratike në zgjerimin e kapaciteteve energjetike. Lindner tha se kjo është një përgjigje e qartë ndaj Putinit, por edhe për qytetarët tanë: Ne jemi një ekonomi e fortë dhe ne e mobilizojmë këtë fuqi kur është e nevojshme”

Reagime pozitive

Sidomos heqja e tarifës së gazit i ka lehtësuar si përfaqësuesit e opozitës ashtu edhe të ekonomisë dhe biznesit.

Kryeministri i Bavarisë Markus Söder dha një vlerësim pozitiv për eliminimin e tarifës shtesë të gazit dhe vendosjen e frenimit të çmimit të gazit. “Sinjali është i drejtë, ai i jep biznesit dhe qytetarëve besimin se mund ta mbijetojmë dimrin,” tha ai.

Kryetari ligës së sindikatave të shërbimeve, ver.di, Frank Wernecke, e përshëndeti këtë mburojë të re, që u vjen në ndihmë sidomos familjeve me të ardhura të ulëta.

Ai tha se është pozitiv fakti që fondi special do të financohet nga kreditë. Por ai kërkoi gjithashtu që “të shfrytëzohen edhe fitimet e jashtëzakonshme të kompanive energjetike”.

Edhe shoqatat e punëdhënësve e kanë mirëpritur mburojën e re. Presidenti i Dhomave industriale dhe tregtare të Gjermanisë, DIHK; Peter Ardian, u shpreh i kënaqur sidomos për heqjen e tarifës shtesë të gazit: “Ky është një lehtësim jo vetëm financiar, por edhe burokratik”, tha ai për gazetën gjermane “Bild”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular