Nga Bujar Leskaj
Dhjetë pyetje për instalacionin-kapriçio 3.7 milionë euro të Mbretit Lakuriq
Dhjetë pyetje për instalacionin-kapriçio 3.7 milionë euro të Mbretit Lakuriq
Në oborrin e Kryeministrisë, do të ndërtohet një kopësht përrallor me dru dhe bimësi, për të kënaqur Ramën, Liderin Global ose Mbretin Lakuriq të Shqipërisë.
Hapja e tenderit për ndërtimin e këtij instalacioni druri, i cili do të kushtojë 3.7 milionë euro përbën goditje shpartalluese ndaj moralit të shkelur se si po shpenzohen paratë e buxhetit të shtetit dhe të taksapaguesve shqiptarë, për një strukturë jashtë funksionit dhe pa asnjë rëndësi për veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
E gjitha kjo po ndodh, në prag të një krize të paprecedentë energjitike dhe të inflacionit galopant e rrënues p֝ër fuqinë blerëse të qytetarëve. Për këtë, Kryetari i sektit qeverises u zmbraps, njëlloj si sot me fashën e energjisë. I zënë me presh në duar, duke shpenzuar për kapriçio estetike 3.7 milionë euro, pa asnjë përfitim real për funksionet dhe detyrat e Këshillit të Ministrave, iu tremb indinjatës popullore. Dhe u zbyth sërisht, duke futur shpejt e shpejt në projekt mbulimin e tarracës së Kryeministrisë me panele diellore, për ta shitur projektin si gjoja fitimprurës, brenda 20 viteve të ardhshme(?!).
Por dielli nuk mbulohet me shoshë. Kjo kapriçio e re miliona euroshe ngre një sërë pyetjesh mbi mënyrën se si ky projekt pa asnjë përfitim publik po ju rëndon takspaguesve shqiptarë:
1. Pse ideja e projektit nuk u diskutua me asnjë institucion përgjegjës për financat e shtetit(në rradhë të parë, me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë), por u konsiderua si urdhër për të gjithë zinxhirin administrativ dhe tani po “qepen” letrat dhe procedurat për t’u dukur në rregull me ligjet e Shtetit?
2. Pse nuk ka asnjë relacion publik se çfarë interesi mbart ky projekt ku do të shpenzohen 3.7 milionë euro nga taksat e shqiptarëve?
3. Përse duhet të shpenzohen pikërisht 3.7 milionë euro për struktura druri dhe bimësi në oborrin e Kryeministrisë? Çfarë lloj druri është ky i instalacionit, që kushton kaq shumë? Edhe po të jenë materiale të rralla, përse duhej miratuar kjo vlerë?
4. Cila kompani e ka hartuar preventivin për punimet? Si është paguar studio austriake “Precht”, e cila ka bërë projektin?
Në datën 27 korrik 2022, Këshilli i Ministrave ngarkoi si autoritet kontraktor për këtë projekt Fondin Shqiptar të Zhvillimit(FSHZH). Vendimi parashikon që Fondi të kërkojë edhe alokimin e fondit 3.7 milionë euro nga Ministria e Financave.
5. Kur u ndryshua buxheti dhe u dhanë fondet? Nga cili zë i Buxhetit të Shtetit u morën këto fonde?
6. Me çfarë vendimi janë kaluar paratë brenda buxhetit të FSHZH, nëse është ndryshuar destinacioni i tyre?
Buxheti miratohet nga Kuvendi dhe vetëm Kuvendi mund të ndryshojë destinacionin e fondeve të institucioneve, në nivel projektesh dhe programesh. Qeveria mund të ndryshojë vlerat e fondeve deri në 10% të totalit që ka një program i caktuar.
7. Kur është marrë ky vendim, nëse është vepruar kështu? Nëse Ministria e Financave ka bërë miratimin e fondeve, a është shkelur ligji për menaxhimin e sistemit buxhetor? Ligji lejon rishpërndarjen e fondeve brenda programeve të miratuara nga Kuvendi.
Në listën e programeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk ka asnjë projekt për oborrin e Kryeministrisë.
8. Nëse Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin pa patur paratë në llogari, a duhet t’a kishte lejuar këtë veprim Agjencia e Prokurimit Publik?
9. A është shkelur në këtë rast rregulli buxhetor që nuk hapet gara dhe tenderi, pa patur fondet e mjaftueshme në buxhet? Si do të bëjë pagesën thesari për kontratën e ndërtimit të instalacionit, nëse fondet nuk janë në llogarinë e FSHZH?
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zgjedhur procedurën e kufizuar për zhvillimin e tenderit për ndërtimin e instalacionit. Kjo procedurë i jep të drejtën që të zgjedhë vetë listën me kompanitë që do të bëjnë ofertën finale dhe financiare.
10. Cila është emergjenca për zgjedhjen e kësaj procedure? Cili është qëndrimi i Komisionit të Prokurimit Publik ndaj këtyre shkeljeve?