BallinaAktualitetKompania e lidhur me zyrtarin e PS ndërtoi kate pallati ‘pa leje’...

Kompania e lidhur me zyrtarin e PS ndërtoi kate pallati ‘pa leje’ në zemër të Tiranës

Mazhoranca po përpiqet të mbulojë me një fushatë dezinformimi faktin se ndërtuesit e kateve pa leje në kullat e Tiranës – të cilët ajo i ka përfshirë në një skemë legalizimi dhe amnistie penale përmes një VKM-je me bazë të dyshimtë ligjore, janë njerëz të lidhur me pushtetin.

***

Fushata e debatueshme e qeverisë në denoncimin e shtesave pa leje në kullat e ndërtuara në Tiranë vijoi të premten me denoncimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi te një pallat 13-katësh pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë.

Nëpërmjet një video të regjistruar, por që u transmetua sikur ishte ‘live’ në faqen e kryeministrit Edi Rama në ‘Facebook’, Çuçi i shoqëruar nga drejtuesja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi tha se çdo metër pa leje i pallatit në fjalë do t’i kthehet popullit.

“Ky subjekt, jo vetëm ka kate pa leje, por ka dhe një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuari më përpara,” tha Çuçi me pallatin në sfond.

“Kjo që po bëjmë nuk është një fushatë mediatike apo demagogji”, pretendoi ai më tej ne video.

Pas shfaqjes live në Facebook, BIRN vizitoi sheshin e pallatit me 11 kate plus dy kate papafingo të denoncuar si skenë krimi, por në vend të policisë, aty kishte vetëm punëtorë ndërtimi.

Sheshi i zbrazur për të bërë videon ishte mbushur sërish me makina të parkuara, ndërsa nga brenda ndërtesës oshëtinte zhurma e makinerive të ndërtimit. Në një shesh të dytë, punëtorët e krahut vazhdonin të bënin llaç të pashqetësuar.

Serioziteti i fushatës që bazohet në një Vendimi të Këshillit të Ministrave të 7 shtatorit është vënë në dyshim nga opozita dhe ekspertët, të cilët akuzojnë qeverinë se synon në fakt amnistimin penal të ndërtuesve pranë qeverisë, duke shkelur si Kodin Penal ashtu edhe Kushtetutën.

Rasti i fundit i denoncuar nga Çuçi duket se u jep të drejtë pretendimeve të opozitës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pallati i denoncuar nga ministri i Brendshëm në zonën e “Myslym Shyrit” është ndërtuar nga “ARB & TRANS-2010”; një kompani e themeluar nga Arben Maloku, 36 vjeç, i cili deri në 9 shtator 2022 mbante funksionin e kryetarit të njësisë administrative të Zall-Herr të bashkisë së Tiranës dhe është kryetar i Partisë Socialiste në të njëjtën njësi administrative.

Të pyetur nga BIRN nëse ndaj “ARB & TRANS-2010” ishte bërë kallëzim penal pas konstatimit të shkeljeve ligjore, Bledi Çuçi, Policia e Shtetit dhe Dallëndyshe Bici nuk kthyen përgjigje. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po ashtu nuk ktheu përgjigje për lidhjen e ish-zyrtarit të bashkisë me katet pa leje në kryeqytet dhe mungesën e referimeve nga institucionet në varësi të tij për këtë ndërtim.

Ndërsa përfaqësuesja e “ARB & TRANS-2010”, Esmeralda Maloku pranoi se ishte në dijeni të deklaratave të Ministrit të Brendshëm, por theksoi se ajo nuk mund të thoshte se çfarë qëndrimi do të mbante kompania.

Guximtari i PS-së

 
Kryetari i PS për Zall Herrin, Arben Maloku bashkë me kryebashkiakun Veliaj dhe deputetin Xhemal Qefalia. Foto nga Partia Socialiste Zall Herr.

Në lejen e ndërtimit të lëshuar nga Bashkia Tiranë, pallati i kompanisë “ARB & TRANS-2010” në rrugën “Myslym Shyri” përshkruhet si “Godinë banimi dhe shërbime 4 dhe 5-9 kate, me dy kate parkim dhe shërbime nëntokë”.

Ndërsa denoncoi objektin, që sipas tij jo vetëm kishte shtuar kate, por kishte dalë tërësisht jashtë projektit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e quajti ndërtuesin ‘guximtar’.

Sipas tij, guximi për aventura vinte për shkak të “drejtësisë së vjetër” që nuk i hetonte dhe ndiqte penalisht shkelësit e ligjit.

Por ndryshe nga sa deklaroi ministri me zë dhe figurë, ky ndërtim nuk është denoncuar në prokurori nga institucionet në varësi të Çuçit, si IKMT-ja dhe Policia e Shtetit dhe as nga ato në varësi të Bashkisë së Tiranës, që duhej të monitoronin zbatimin e lejes së ndërtimit të lëshuar prej tyre.

Në deklaratën për video mesazhin propagandues, Çuçi nuk e përmendi as pronarin dhe as emrin e kompanisë që kishte kryer shkeljet ligjore të pretenduara.

Kompania ‘ARB & TRANS-2010’ që ka kryer ndërtimin është themeluar nga Arben Maloku në vitin 2010. Në vitin 2018, Maloku ia shiti aksionet vjehrrit të tij, Fatmir Firit për 100 mijë lekë, ndërsa në tetor 2021, ky i fundit ia dhuroi aksionet babait të Arbenit, Shyqyri Maloku.

Ndërsa kompania ndodhej në pronësi të të afërmve të zyrtarit bashkiak, ajo mori leje ndërtimi dhe mbi 150 milionë lekë në tendera për punë publike nga Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2019-2022. Në listën e tenderave të fituar përfshihet edhe ndërtimi i një rrjeti ujësjellësi në fshatin Qinam, në njësinë administrative që drejtonte vetë Maloku.

Edhe pas largimit nga drejtimi i njësisë administrative Zall-Herr, Maloku shfaqet i afërt me përfaqësuesit e lartë të socialistëve në Tiranë dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

Më 9 shtator, Maloku ishte një hap pas kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Veliaj gjatë ceremonisë së inaugurimit të një lagjeje të re në Zall-Herr, ndërtuar për familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti i vitit 2019.

Në ceremoninë e inaugurimit, deputeti i PS-së për zonën, Xhemal Qefalia u kujdes ta veçonte Malokun mes atyre që duheshin falënderuar “për punë të palodhur”. Qefalia, në videon e postuar në Facebook nga Erion Veliaj, pasi përmend largimin nga detyra të administratorit, shtoi se Malokut i ishte dhënë “një detyrë akoma më e rëndësishme”.

Menjëherë pas Qefalisë, edhe kryebashkiaku Veliaj e veçoi Malokun në falënderime, madje të dytin pas kryeministrit Edi Rama, ndërsa kujtoi udhëtimet që kishin bërë deri në kufijtë “e largët” të Bashkisë së Tiranës.

“Bashkë me Ben Malokun që dua ta përshëndes me gjithë zemër”, tha Veliaj.

Kompania e themeluar prej Malokut është denoncuar nga opozita si e përfshirë në prishjen e debatueshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë në maj 2020.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi në 21 maj 2020, se mjetet e kompanisë ARB & TRANS-2010, janë përdorur pa tender për të pastruar inertet pas shembjes së Teatrit.

“Cilën kullë të radhës do ju japi këtyre kompanive për ndërtim si përgëzim për punën e palodhur në shembjen e Teatrit Kombëtar?”, shkroi Zhupa, që më pas e lidhi kompaninë me emrin e Malokut, i cili ishte në atë kohë administrator në Zall-Herr.

Drejtësi e vjetër, akuza të reja

 
Tabela e lejes së ndërtimit pranë pallatit të denoncuar për ndërtim katesh shtesë. Foto: Vladimir Karaj.

Në fillim të shtatorit, qeveria miratoi një VKM, sipas së cilës katet e ndërtuara pa leje ose dhurohen në këmbim të legalizimit të godinës, ose paguhen nga ndërtuesit me çmimin e tregut, plus një masë administrative. Në këmbim, vetë kryeministri dhe ministrat u kanë premtuar ndërtuesve se nuk do të ndiqen penalisht.

Por opozita dhe ekspertët mendojnë se ndërsa vendimi forcon sanksionet administrative, ai në thelb është një një përpjekje nga qeveria për të amnistuar veprat penale të ndërtuesve pranë saj, të cilët rrezikojnë sipas Kodit Penal deri në 8 vjet burg për ndërtimet e paligjshme me qëllim fitimi.

Për t’u mbrojtur nga këto akuza, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sulmuan të premten Prokurorinë e Tiranës, duke aluduar se VKM-ja ishte një zgjidhje për shkak se kjo e fundit nuk kishte vepruar.

“Kur u vijnë dosje nga subjekte të kamura për evazion fiskal, për ndërtim pa leje, për krime të tjera, e shohin si një mundësi për të pasuruar xhepat e tyre”, tha ministri Çuçi në videomesazhin e filmuar pranë rrugës “Myslym Shyri”.

Çuçi theksoi se ndërsa institucionet në varësi të tij kishin përgjegjësi, barra më e madhe binte mbi drejtësinë, por nuk shqiptoi ndonjë rast konkret të mosveprimit.

Por kryeprokurori i Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se për sa kohë ai drejtonte prokurorinë, nuk ka pasur raste të tilla. Çela tha gjithashtu se të gjitha çështjet e denoncuara publikisht nga anëtarët e qeverisë “janë nën hetim nga prokuroria”.

Kryeministri deklaroi të enjten se ishte nënshkruar kontrata e parë e dhurimit nga një ndërtues në favor të shtetit bazuar në VKM-në e shtatorit, për rreth 4600 metra katrorë të ndërtuara pa leje në qendër të Tiranës. Një ditë më vonë, ai këmbënguli se mosreagimi i prokurorisë për këtë rast ishte arsyeja për miratimin VKM-së nga qeveria.

Rama paraqiti dy fletë të një denoncimi nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në të cilat pretendohet se kompania ‘Ideal Construction’, me ortak të vetëm biznesmenin Armand Lilo, ka shkelur lejen e ndërtimit dhe se duhej të procedohej penalisht.

Kompania në fjalë po ndërton kullën e pagëzuar si “Eye of Tirana” në afërsi të sheshit “Skënderbej”. Denoncimi mban datën 1 korrik 2022, por Rama i referohet se ka ndodhur “kohë më parë”.

“Dhe ky nuk është i vetmi rast, por rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”, tha kryeministri në deklaratën e tij.

Ndryshe nga sa aludoi Rama, prokurori i Tiranës, Arens Çela i tha BIRN se rasti i kullës “Eye of Tirana’ dhe kallëzimi i IKMT-së ishin duke u hetuar.

“Edhe ky rast është në hetim si të gjithë rastet e tjera,” tha Çela, ndërsa shtoi se nuk donte të përfshihej në debatet politike.

I pyetur për akuzat dhe sulmet e përfaqësuesve të qeverisë ndaj organit të akuzës, drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment. /Reporter.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular