BallinaOP EDSa të kem Kushtetutën e vitit 2008 dhe Berishën në lojë, “me...

Sa të kem Kushtetutën e vitit 2008 dhe Berishën në lojë, “me votë” mbretëroj!

Nga Poli Hoxha
Edi Rama nga Praga, foli për Luftë Botërore në Europë. Domethënë luftë nuk do të ketë në gjithë globin, por vetëm në kontinentin tonë ku gjendet edhe Shqipëria ku ai sundon. Tallet dhe frikëson shqiptarët kryeministri, sepse nuk i mungon asnjë gjë që ta bëjë këtë.

Erë lufte fryn vërtet, por mes  Perëndimit dhe Rusisë me aleatët e saj të hapur dhe të fshehtë. Edhe në Shqipëri ka një luftë, por që nuk ka të bëjë me kërcënimet bërthamore të Putin.

Ajo është lufta “virusale” e një klase politike në pushtet dhe në opozitë, e cila po bën betejën finale për të fituar kohë dhe shtyrë sundimin e saj politik dhe ekonomik. Është edhe “lufta tjetër” e Perëndimit me klasën tonë politike që minon demokracinë dhe është kapur me thonj brenda qarkut të saj të pushteti dhe të pasurive të grabitura gjatë tranzicionit.

Mbi të gjitha po zhvillojnë një luftë për mbijetesën e tyre në kurriz të, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Për ti rezistuar procesit penal, duke dhënë llogari dhe marrë drejtësi për grabitjen e egër që i kanë bërë financave dhe pasurive të Shqipërisë. Betejë për 32 vitet të cilat duan ti zgjasin sa të jenë gjallë dhe mundësisht, edhe me trashëgimtarë.

Ndaj shqiptarët ikin me mijëra çdo muaj drejt Europës perëndimore, “ku do ketë luftë botërore”, sepse duan të shpëtojnë nga lufta hibride e ligë dhe e lodhshme, që po zhvillohet këtu në shtëpinë e tyre. Të tjerët janë mpirë dhe ndjekin të pafuqishëm, këtë farsë kriminale të sheikëve të “demokracisë” shqiptare.

Qarkullon një “lajm urban” nëpër Tiranë, sipas të cilit Edi Rama thotë poshtë e përpjetë: Sa të kem Kushtetutën e vitit 2008 dhe Sali Berishën në lojë, unë fitoj “me prapanicë” çdo lloj zgjedhjesh që bëhen këtu!

Fatkeqësisht kjo është e vërtetë, ndaj vendin e ka përfshirë një dëshpërim dhe disfatizëm vrastar.

Po le ti shpjegojmë thjesht, dy kartat që mban Edi Rama në dorë; Kushtetutën e vitit 2008 dhe Sali Berishën në skenë.

E para instaloj kryetarokracinë në partitë shqiptare, mbyti demokracinë e brendshme te ato dhe bllokoj lindjen e çdo force të re politike. Kapi presidentin nga çdo shumicë e thjeshtë dhe ka bërë, që parlamenti të mos kontrollojë dot qeverinë kleptokrate.

Mbi të gjitha ka deformuar sistemin zgjedhorë duke futur në politikë, edhe njerëz të lidhur me krimin e organizuar.

Edi Rama e mburr marrëveshjen okulte që bëri me Berishën e kapur në hallin e Gërdecit, kurse ky i fundit as që e zë në gojë. Në vitin 2009 Ilir Metaj duke kuptuar se marrëveshja brenda natës e dyshes, Rama- Berisha, eliminonte LSI-në nga skena, hyri edhe në një grevë urie të paprecedentë brenda parlamentit.

Por pasi u fut nga Berisha në skemën që kishte blinduar me Ramën, ai u bë bashkëthemelues i “Trekëndëshit” që sot mban peng Shqipërinë.

I vetmi që më në fund e artikuloj domosdoshmërinë historike për zhbërjen e marrëveshjes kushtetuese Rama- Berisha ishte Lulzim Basha, menjëherë pas zgjedhjeve të 21 prillit 2021. Por bashkë me sulmin e egër kundër linjës properëndimore brenda PD-së, aktualisht rezulton e bllokuar edhe kjo nismë decizive të cilën së fundmi e kanë marrë përsipër diplomatët perëndimorë, nëpërmjet Reformës Zgjedhore.

Kalojmë te “Fenomeni Berisha”, i cili është edhe fati më i madh i Ramës dhe organizatës së tij.

Me Berishën, (edhe Metajn) de fakto përballë, ai “mundi me votë” Partinë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021. Me Berishën dhe aleatin e tij të shpallur së fundmi “non grata” nga të majtët dhe social-demokratët europianë, ai po zgjat dhe po projekton fitoren e padiskutueshme të zgjedhjeve lokale të radhës dhe ato të përgjithshme të vitit 2025.

Dhe për këtë po investon shumë fortë dhe hapur. Dita- ditës ai jo vetëm që po e legalizon lëvizjen e “Rithemelimi”, por edhe po e ndihmon me çdo lloj burimi që ka në dispozicion.

Pas sponsorizimit prapa skene që i bëri për 1 vit Foltores, aktualisht ka hedhur në lojë ekipin e tij mediatik dhe të këshilltarëve në hije me në krye Baton Haxhiun. Synimi malinj është që tu mbushin mendjen shqiptarëve dhe veçanërisht demokratëve, se Berisha e mund Edi Ramën!

Imagjinoni pikërisht nga Foltorja mediatike e Foltores së Berishës, Baton Haxhiu dhe të tjerë të ekipit propagandistik të Ramës i dërgojnë mesazh gjykatës, (në emër të shefit natyrisht), se duhet që të legalizojë lëvizjen e Berishës si Parti Demokratike!

Se sondazhet që e nxjerrin atë fitues ndaj Ramës janë serioze; se krahu properëndimor brenda PD-së duhet të shkojë “Si Çeçua” te aleanca “non grata nga Perëndimi” e Berishës me Metajn; se Edi Ramën e mund vetëm kjo dyshe… dhe të tjera broçkulla si këto.

Duket si qesharake kjo situatë, por në fakt është e dhimbshme kur sheh ende tru-shpëlarë që e besojnë propagandën që buron nga qoshja e Ramës; “Me Berishën fitoni pa diskutim”.

Ata (Ekipi i Batonit) dhe ustai i tyre i Surelit e dinë shumë mirë që kjo opozitë e përçarë, “spakistët” e saj, të shënjestruarit nga Perëndimi dhe të kërrusurit nga mëkatet 32 vjeçare, nuk kanë asnjë gjasë që të vijnë më ndonjëherë në pushtet. Edhe po erdhën në situatën më të çmendur hipotetike, lule o Shqipëri e Enver Hoxhës që mbijetonte nën rrethimin e Perëndimit.

Rama në krye të një qeverie oligo- kleptokrate të vënë në rreth nga Perëndimi, e di më mirë se kushdo se nëse ata të dy dalin shpejt nga skena politike, jo vetëm nuk ka më asnjë shans për fitore “me vota”, por shpejt do të bëhet edhe ai “spakist”.

Shqiptarët ndaj abstenojnë dhe largohen nga vendi me shumicë, sepse sa herë që ka votime ju duhet që të zgjedhin mes të njëjtës gjë, pavarësisht nga emrat; Korrupsionin e 32 viteve.

Po: Është e vërtetë që Berisha edhe në këto kohë të “nongratave” ka korrur disa fitore. Ka “mundur” tani për tani properëndimorët brenda PD-së si dhe Ibsen Elezin, (E rrahën dhe nuk e lanë as të qajë), brenda Rithemelimit.

Ndaj duket qartë se filmi do të përsëritet, edhe në këto zgjedhje të radhës. Rama po ju vë shqiptarëve të zgjedhin si alternativë ndaj tij  dy nga trinjakët e errët të Tranzicionit; Sali Berishën dhe Ilir Metajn.

Nuk e di çfarë do bëjnë demokratët e ndershëm që janë bërë si pula të trullosura dhe për gjynah në këtë situatë, por një gjë ta kenë të sigurt:

Sa të jetë Kushtetuta e vitit 2008 bashkë me Berishën dhe Metajn në lojë, me votë apo jo: Paç fatin e Edi Ramës!/Alfapress.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular