Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka zbuluar disa prapaskena nga shkarkimi i sh-drejtorit të përgjithshëm të policisë Gledis Nanos.
Sipas Karamuços, përpara se të shkarkohej Nano ka dërguar në SPAK një shkresë, në të cilën ishin të përfshirë emrat e disa efektivëve të policisë që kanë bashkëpunim me krimin, duke kërkuar hetimin e tyre. Duke folur në Abcnews, ai shtoi si Nano ishte viktimë e politikës.
“Para se të largohej Gledis Nano ka dërguar një shkresë në SPAK. Ka kërkuar hetim për persona të policisë së shtetit që marrin listëpagesa nga krimi. Ajo shkresë është një kuti pandore. Kjo do të thotë që ai ka pasur një dedikim të madh për luftën kundër korrupsionit që nuk duhet ta bënte vetëm ai.
Tani ne kemi 100 policë të certifikuar por kemi të tjerë që flenë me bandat. Disa prej tyre që janë druri i shtrembër i policisë së shtetit na kanë humbur besimin në publik te policia e shtetit. Duhet vetting për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gledis Nano është një viktimë e situatave në Policinë e Shtetit”, u shpreh ai.