MARIGLEN KUME
Flamur Hoxha, deklaroi në një intervistë për gazetën “Panorama”, se ai nuk do të angazhohet në fushatë nëse në zgjedhjet e ardhshme lokale do të dilet me 2 kandidatë nga ana e grupimeve të PD
Megjithatë, ai shprehet besimplotë se edhe nëse nuk do ketë një dakordësi grupi për bashkëpunim mes dy grupimeve të PD-së, ai bashkë me deputetin Isuf Çela, i cili është bashkuar që në fillim me lëvizjen e Berishës do të bashkëpunojnë për të nxjerrë kandidatët më të mirë dhe zotohet se do fitojnë tri bashkitë në Kukës.
Ndonëse dialogu mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës nuk ka asnjë hap para për shkak se Paloka ndodhet jashtë vendit, Flamur Hoxha ka propozuar një modalitet për të dalë me një kandidat të përbashkët.
Sipas tij, PD ka një databazë të gjerë me 5 mijë emra potencialë për kandidatë për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale. Databazë, e cila doli nga procesi i vitit 2020, ku sipas tij PD ishte e unifikuar. Elementët e evidentuar në atë proces, sipas Hoxhës, t’u nënshtrohen primareve që ka paralajmëruar Berisha, por shtoi se primaret nuk duhet të nxjerrin kandidatin final. Por një grup kandidatësh për secilën bashki.
Më pas, sipas tij, duhet një kryesi e përbashkët ajo e cila duke bërë të gjitha kalkulimet, të zgjedhë kandidaturën më të mirë. Kryesia me anëtarë të përbashkët që do zgjedhë kandidatët, sipas tij, do të mbajë përgjegjësi.
Z. Hoxha, keni caktuar nga një përfaqësi për të diskutuar e për të kandiduar me një kandidat. Në çfarë faze janë këto diskutime, kanë ecur përpara?
Ishte një vullnet i grupit parlamentar, siç ishte vullneti për të qenë pjesë e PD-së dhe jo pjesë e përçarjes. Nisur nga platforma e bashkimit, grupi doli në unanimitet nga të gjithë dëshira dhe qëllimi për të bashkëpunuar me pjesën tjetër të grupit të PD, duke deleguar një grup ose një person. Ideja ishte për një grup, por duke marrë shkas që Komisioni i Rithemelimit kishte caktuar z. Paloka si person kontakti, u vendos që të ishte z. Gazment Bardhi. Unë kam kërkuar informacion se në çfarë faze janë diskutimet, por nuk ka asnjë hap para për shkak se z. Paloka është jashtë vendit.
Në çdo rast, zgjedhjet po afrojnë. Do t’u shërbente demokratëve dalja me dy kandidatë nëse s’do kishte një dakordësi?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Një test ku dolëm të humbur ishte në zgjedhjet e pjesshme të marsit të këtij viti. Ne si dy pjesë të PD-së humbëm bashki. Humbëm energji, krijuam konflikt dhe dolëm me nga një kandidat. Tashmë e gjithë fryma e PD-së është për të pasur një parti, një kandidat dhe mundësish në sa më shumë bashki në shërbim të qytetarëve me individë që do të jenë zgjidhja më e duhur për të fituar. Ne do synojmë të rikthejmë minimalisht 20 bashki. Synojmë që të rikthejmë edhe bashkitë më të rëndësishme që përbëjnë zonat ku banojnë shumica e qytetarëve, siç është Tirana, Durrësi apo Elbasani.
Z. Berisha ka shpallur një nismë për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie. Ju, për shembull, në zonën ku keni qenë drejtues politik për zgjedhjet e përgjithshme, do pranonit që kandidati të zgjidhej me primare. Si mund të ishte bashkëpunimi?
Para se të shkojmë te përcaktimi i emrave, kandidatëve fitues për PD, duhet të shkojmë te një proces që duhet të kishte nisur për të gjetur modalitetet praktike për zgjedhjen e bashkëpunimit për një PD. Mendoj që secili prej nesh ka mençurinë duke sjellë eksperiencat e secilit qark që të bashkojë demokratët. Që të bashkojmë demokratët, mund të konsiderohet fjalë idealiste, por në parim ne duhet të krijojmë mundësinë që të bashkojmë demokratët. Nëse do marrim përgjegjësinë dhe do bashkojmë të dyja pjesët e PD-së, në këtë rast ne i kemi mundësitë sepse procesi i evidentimit të elementëve e kandidatëve për bashki është një proces që mund të fillojë me primare, por është një proces që ka qenë në vijueshmëri. Ne si PD kemi të pranuar dhe të propozuar nga të gjithë strukturat drejtuese të PD në të gjithë Shqipërinë rreth 5 mijë kandidatë potencialë, qoftë për zgjedhjet qendrore, e qoftë për ato lokale. Procesi është bërë në 2020. Nisur nga kjo, mendoj që do duhet që ne të pranojmë që të bashkojmë PD apo të gjejmë një bashkëpunim që edhe nëse jemi bashkuar, por kemi ide ndryshe, kauza e zgjedhjeve lokale na bën bashkë. Procesi i evidentimit të elementëve që do jenë kandidatë fitues është proces delikat. Nuk është dëshirë për të kandiduar, por me aftësinë për të pasur potencialin e kandidatit më të mirë të mundshëm në kushtet ku ndodhemi. Ne jemi në kushte emergjence që nuk kemi luksin që të zgjedhim kandidatët pa i filtruar mirë. Modeli i primareve nuk është një zgjedhje e drejtë sepse duke marrë në analizë eksperiencën e votimit kundër që është bërë për kandidatët, në rastin konkret do kemi votim pro. Do jetë një votim që do kalojë anëtarësinë e PD, sepse anëtarësia e PD duhet të kuptojë që s’mund të lëmë jashtë ata që janë te pjesa e grupimit tonë. Pjesa e të qenurit militantë do ketë abuzime. Sepse ne ndodhemi në Shqipëri dhe mund të ndodhë që të ketë lobime dhe të dërgojë njerëzit e vet për të votuar dhe të dalë personi më i aftë. Do pranoja primaret ku të dilet me një trupë kandidatësh dhe kjo trupë të përzgjidhej nga një grup që mund të ishte grup parlamentar ose kryesi e zgjedhur ku të mbante përgjegjësinë e caktimit të potencialëve. Mendoj se duhet të ketë një certifikim të përzgjedhjes së grupit. Siç ka ndodhur edhe herët e tjera.
Nëse ky modalitet do pranohet, do vijmë te faza e regjistrimit, mendoni se duhet të ketë një hap politik për tërheqjen e padisë. Ose si mund të zgjidhet problemi i regjistrimit të kandidatëve për këshilla bashkiakë sepse kandidatët vetë zgjidhen me siglën e koalicionit?
Këtu kemi një ngërç juridik. Ngërçi i apelimit të vendimit të gjykatës, në të ardhmen do sfumohet në mënyrë automatike nëse do gjendet një përbashkim natyral. Ne sot kemi dy kryesi në nivel dege. Kemi dy borde në strukturat drejtuese. Dy anëtarësi. Nëse këto i selektojmë dhe dalim me një trup, automatikisht e kemi bashkuar partinë. Nëse besojmë te ky bashkim, atëherë ky vendim ka rënë dhe të gjithë do regjistrohen në siglën e PD.
Por kujt do t’i takojë kjo sigël, sepse z. Basha është ende kryetar i PD në Gjykatën e Tiranës?
Kjo është zgjidhja më e drejtë që mund të bëhet nga një grupim apo një përfaqësim i dy grupimeve për t’i dhënë një dritë ligjore kësaj çështjeje. Nëse arrihet një proces i tillë, mendoj se edhe kjo mund të kalohet. Duke pranuar se ne e kemi krijuar këtë grupim të bashkuar dhe normalisht përderisa bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, automatikisht betejat brenda llojit mund të bëhen por mbi të gjitha tani ne përgatitemi për zgjedhjet lokale.
Nëse nuk do ketë një lloj dakordësie. Pra, nëse do dështojnë bashkëbisedimet, ju si deputet dhe drejtues politik i Kukësit, çfarë qëndrimi do mbani në zgjedhjet lokale?
Ne përfaqësojmë zonat ku kemi marrë votat, ndaj edhe vendimi im do jetë në shërbim të atyre qytetarëve. Unë nuk kam asnjë aspiratë për të kandiduar për pushtetin lokal dhe nuk do të kandidoj. Dhe i bëj thirrje çdo deputeti që synon të kandidojë për një bashki përkatëse, ai duhet të jetojë atje. Është jetësore kjo. Ka ndodhur rëndom që janë kryetarë të një bashkie dhe jetojnë në qytet tjetër. Megjithatë, unë kam bindjen, duke besuar te mençuria e demokratëve të Kukësit, që bashkë me deputetin Isuf Çela mund të gjejmë një mekanizëm dhe t’i japim qarkut tonë fitore në të tria bashkitë. Ky është detyrim moral, detyrim burrëror dhe detyrim partiak që na takon për ta kryer. Është zgjidhje jashtë kompetencave të problemeve madhorë që ka partia dhe në këtë rast unë jam i detyruar dhe do shoh zgjidhjet e votuesve që më ka dhënë votën. Ai qark ka më shumë se kurrë nevojë për pushtet lokal. PD i ka detyrim atij qarku, ku më 25 prill doli fitues me mbi 65% të votave dhe unë nuk mundem që të mos t’i rikthej pushtetin lokal.
Do pranonit ju personalisht të bënit fushatë nëse do merrej vendimi për të bërë fushatë nëse dilet me dy kandidat?
Nuk do pranoj që të dal me dy kandidat nga ana e opozitës në Kukës. Do gjej zgjidhjen që të kemi një kandidat për çdo bashki në qarkun e Kukësit. E kam jetësore këtë. Ashtu si çdo deputet që ka tagrin për të marrë vendimin vet, këto janë interesa të asaj zone. Ajo zonë i ka dhënë shumë Partisë Demokratike dhe ka marrë pak.