Gazment Bardhi: Me Bashën kam miqësi, por nuk konsultohem me të për vendimet politike.
Për shkak të detyrës së Sekretar i Përgjithshëm i PD që nga viti 2019, Gazment Bardhi njihet si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë te ish kryetarit të PD, Lulzim Basha. Zoti Bardhi ka mbajtur një faturë të madhe politike gjatë procesit të ndarjes së PD, por ai flet pa doreza për marrëdhënien e tij me Lulzim Bashën. “Nuk e mohoj miqësinë me Lulzim Bashën, por ai kurrë nuk më ka ndërhyrë në vendimet dhe qendrimet e mia politke”- thotë Gazment Bardhi në emisionin “Pa Censurë”
PJESË NGA INTERVISTA PËR EMISIONIN “PA CENSURË”
Elona Meço: Është një përceptim i drejtë apo i gabuar që ju jeni një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Basha?
Gazment Bardhi: Unë jam bashkëpunëtor me secilin prej kolegëve brenda PD. Nuk mohoj dhe nuk do ta mohoj kurrë, sepse nuk do të ishte normale as nga pikëpamja ligjore, jo më politike, që unë kam një miqësi me zotin Basha. Nuk do ta mohoj kurrë këtë. Nuk bëj pjesë në kategorinë e njerëzve që, kur dikush është mirë dhe është në majë, duhet t‘i qendrojë afër dhe të dalë krah tij në tv për të dhënë perceptimin që jam afër liderit, ndërsa kur ai nuk është më në krye të partisë, t‘i kthej kurrizin dhe të bëj sikur nuk e njoh. Nëse këtë e bëj me një bashkëpunëtor brenda partisë, këtë model do të ndiqja me qytetarët. Kjo as ka ndodhur, as ka për të ndodhur. Unë kam miqësi me zotin Basha dhe nuk kam asnjë problem ta pohoj diçka të tillë.
Elona Meço: A i ndikon zoti Basha vendimet tuaja?
Gazment Bardhi: Ju garantoj nuk e ka bërë as kur ka qenë kryetar partie. Kam patur lirinë të them atë qe mendoj dhe besoj. Ka qenë një marrëveshje që ditën e parë, kur pranova funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Zotit Basha i kam thënë gjithmonë atë që mendoj dhe besoj.
Elona Meço: Pra, ju tani nuk veproni në emër apo për llogari të zotit Basha?
Gazment Bardhi: Kurrësesi! Zoti Basha është tërhequr nga drejtimi i PD. Nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhje të grupit. Çdo vendim politik timin apo të gjithë kolegëve ne e kemi diskutuar vetëm në grupin parlamentar. As nuk jam konsultuar ndonjëherë se çfarë do të them apo çfarë qendrim do të mbaj dhe as kam për ta bërë. Sikundër, edhe zoti Basha nuk është konsultuar dhe nuk konsultohet me mua për qendrimet e veta politike që mban këtë periudhë. Nuk ka asnjë arsye pse ta bëjë një gjë të tillë.