KELMENT BAÇI/ Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, deklaroi se miratimi i një amnistie penale dhe tatimore kundër këshillës së BE-së dhe Moneyval do të rrezikonte progresin e Shqipërisë në luftën e saj kundër pastrimit të parave.
Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për integrimin evropian mbi raportin e progresit të KE-së për Shqipërinë, ambasadorja e BE-së shprehet se vendi ynë mbetet në juridiksionin e monitorimit të shtuar pavarësisht se vendi ecën në mënyrë të qëndrueshme drejt zbatimit të planveprimit të FATF.
Christiane Hohmann vlerësoi SPAK-un për punën e bërë me hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë, ndërsa u bëri thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë të vazhdojë detyrën e tyre. Ambasadorja e BE-së vuri theksin te shqetësimet që ngre raporti ku kërkohet vijimi i luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. “Shteti i së drejtës, funksionimi i gjyqësorit, raporti shpreh një progres të mirë në përgjithësi me vijimin e reformës në drejtësisë, ndërsa procesi i rivlerësimit ka vijuar të ecë në mënyrë të qëndrueshme.
Efikasiteti i sistemit ndikohet negativisht nga kohëzgjatja e proceseve gjyqësore. Rekomandimet kërkojnë një aksion më vendimtar për të ngritur një sistem modern të menaxhimit të integruar të çështjeve, një zbatim të konsoliduar për një hartë të re gjyqësore dhe përmirësim të efikasitet e cilësisë së shkollës së magjistraturës. Në lidhje me luftën kundër korrupsionit është bërë një progres përfshi përpjekjet e vazhdueshme për të ndërtuar bilancin e hetimeve dhe ndjekjeve penale dhe dënimeve.
SPAK-u ka dhënë vendime të rëndësishme të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë. KE-ja u bën thirrje autoriteve të vijojnë përpjekjet për luftën kundër korrupsionit që mbetet një fushë shqetësimi serioz, duke vërejtur një vullnet më të madh politik. Një ecuri e mirë është shënuar në lidhje me konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve që lidhen me krimin e organizuar dhe këto përpjekje duhet të vazhdojnë. Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të rritur rastet e ndjekura penalisht dhe vendimin e formës së prerë.
Lidhur me luftën kundër pastrimit të parave, vendi ecën në mënyrë të qëndrueshme drejt zbatimit të planveprimit të FATF për të përmirësuar efektivitetin, por mbetet në juridiksionin e monitorimit të shtuar. Në këtë kontekst komisioni vlerëson se miratimi i një amnistie penale e tatimore kundër këshillës së BE-së dhe Moneyval do rrezikonte progresin në këtë fushë. Tashmë që të gjitha institucionet janë të ngritura është e nevojshme të vijohet të mbahet kursi i nisur në fushën e shtetit të së drejtës, të konsolidohet progresi dhe të zhvillohet më tej bilanci”.
KRITIKAT
Teksa citoi pjesë nga raporti/progresi, ambasadorja e BE-së foli edhe për kritikat dhe rekomandimet që ai i bën Shqipërisë, në procesin e rëndësishëm të integrimit në BE. Christiane Hohmann i bëri thirrje Shqipërisë që duhet të forcojë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke sugjeruar një ligj të ri sipas direktivave të BE-së. Ambasadorja e BE-së i bën thirrje qeverisë të vijojë të përqendrohet për çuarjen para të reformave me opozitën e pjesët e shoqërisë.
“Raporti i këtij viti ka rëndësi të posaçme për vendin. Shqipëria vijon të ruajë fokusin e përgjithshëm te agjenda e reformave të BE, pavarësisht sfidave të përballimit të pasojave ekonomike e sociale të goditjes së trefishtë, tërmeti, pandemia e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë. Raporti i bën thirrje qeverisë të vijojë të përqendrohet për çuarjen para të reformave me opozitën e pjesët e shoqërisë. Duhet të ndërmerren veprime të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen e të dhënave.
Raporti i bën thirrje Shqipërisë që të marrë masa për të parandaluar shkelje masive të mëtejshme të të dhënave personale dhe kërkon miratimin e legjislacionit të ri që të jetë në përputhje me direktivën për mbrojtjen e të dhënave në BE. Për sa i përket kadastrave, aktet nënligjore mbeten për pakicat. Raporti shpreh shqetësim për lirinë e shprehjes, pavarësinë e medias dhe cilësia e gazetarisë që mbetet e penguar nga një dezinformim që është një shqetësim i përsëritur. Raporti shpreh keqardhje që atmosfera e sulmeve verbale e akteve të intimidimit kundër gazetareve nuk është përmirësuar dhe ne do ndjekim zhvillimet në këtë fushë”, tha ambasadorja e BE-së.
PS s’tërhiqet për amnistinë fiskale, Balla: Do bëhet, shton formalizimin e ekonomisë
Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, deklaroi dje se qeveria nuk është tërhequr nga ligji për amnistinë fiskale, duke deklaruar se ajo do të bëhet. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe përpara ambasadores së BE-së, Balla tha se një amnisti e tillë është e nevojshme pas 30 vite tranzicion natyrshëm pasi jo do të sjellë një formalizim shumë më të plotë të ekonomisë se ai që kemi sot. Si justifikim për këtë vendim të qeverisë për mostërheqje pavarësisht kritikave të BE-së dhe FMN-së, kreu i grupit të PS-së përmendi rastin e Greqisë në vitin 2004.
“Ligji për amnistinë do të bëhet. Ajo që është shumë e rëndësishme të kuptojmë është që ne vazhdojmë të nxisim konsultimet mes ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe të delegacionit të BE-së për të shkuar në një draft final, i cili para se të miratohet në qeveri të jetë kaluar përmes gjithë këtij procesi konsultimi. Gjej rastin ta falënderoj delegacionin e BE-së në Tiranë për mundësinë dhe përfshirën në këtë proces konsultimi.
Natyrisht që kjo është një vendimmarrje e kësaj mazhorance që qeverisë vendin që për të kaluar në një fazë të re që pason këto 30 vite tranzicion natyrshëm që duhet një amnisti, e cila të kolon në një formalizim shumë më të plotë se ai që kemi sot. Dhe të kalon në një formalizim, kushdo vend që unë njoh në Europë, kujtoj rastin e Greqisë që pasi kaloi në euro në vitin 2004 bëri një amnisti fiskale shumë më të thellë se ajo që duam të bëjmë ne. Ballkani perëndimor në të gjitha aspektet nuk duhet parë si një gjë e veçuar. Secili prej nesh duhet ta shohë si një detyrë shtëpie këtë progres raport, pasi ky është një ndër më të mirët që ka marrë Shqipëria”.
Balla theksoi se progresraporti vlerësoi reformat që ka marrë qeveria për integrimin e vendit, si reforma në drejtësi dhe vetingu i gjyqtarëve the prokurorëve dhe reforma të tjera. “Raporti vlerësoi luftën kundër korrupsionit. Lidhur me kriterin politik, vlerësohet se qeveria mbajti fokusin e reformave të lidhura me rrugëtimin evropian të vendit. Në fushën e administratës publike vlerësohet se vendi ynë është i përgatitur dhe kërkohet vëmendje në këtë fushë. Në prokurimet publike vendi është mesatarisht i përgatitur dhe ka bërë përparim të mirë me legjislacionin”, theksoi Balla.