jë avion ushtarak është rrëzuar në një zonë rezidenciale në qytetin jugor të Rusisë, Yeysk. Nga incidenti humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 25 të tjerë. Një bllok apartamentesh u dogj nga flakët. Një shkollë aty pranë u evakuua.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se avioni ushtarak ishte një bombardues luftarak Su-34. Ai ishte në një fluturim stërvitor, por njëri nga motorët e tij mori flakë. Pilotët u hodhën përpara rrëzimit, tha ministria ruse e mbrojtjes.
Në një postim Telegram guvernatori i territorit të Krasnodarit, pjesë e të cilit është Yeysk, tha se ai ishte rrugës për në vendin e ngjarjes. Sipas tij, të gjitha shërbimet rajonale dhe lokale po luftonin me flakët.
Mediat lokale raportojnë se zjarri përfshiu 5 kate të ndërtesës shumëkatëshe. Një korrespondent lokal i tha kanalit televiziv shtetëror rus Rossiya 24, se dy nga blloqet e ndërtesës morën flakë.
Kremlini ka urdhëruar autoritetet kombëtare dhe rajonale të ofrojnë “të gjithë ndihmën e nevojshme” për viktimat. Komiteti Hetues i Rusisë tha se kishte hapur një çështje penale dhe kishte dërguar hetues në vendin e rrëzimit.
Yeysk ndodhet përballë territorit të pushtuar nga Rusia në Ukrainën jugore, të ndarë nga Deti Azov. Qyteti është përdorur si një terren kryesor trajnimi për aviacionin detar të Rusisë.