Ministrja e Brendshme e Britanisë dha dorëheqjen të mërkurën duke kritikuar kryeministren Liz Truss, e cila po lufton për autoritetin e saj, në një parti ku po i bëjnë thirrje që ajo të largohet.
Largimi i Braverman, për shkak të një shkeljeje “teknike” të rregullave të qeverisë, do të thotë se Truss tani ka humbur dy nga ministrat e saj më të vjetër në më pak se një javë.
“Me keqardhjen më të madhe po zgjedh të jap dorëheqjen time. Më herët sot, i dërgova një dokument zyrtar nga emaili im personal një kolegu të besuar parlamentar, si pjesë e angazhimit të politikave, dhe me synimin për të mbështetur politikat e qeverisë për migracionin.
Kjo përbën një shkelje teknike të rregullave. Siç e dini, dokumenti ishte një draft i Deklaratës së Shkruar të Ministrisë për migracionin, që do të publikohej së shpejti. Pjesa më e madhe i ishte informuar tashmë deputetëve. Megjithatë është e drejtë që unë të largohem.
Sapo e kuptova gabimin tim, e raportova me shpejtësi në kanalet zyrtare dhe e njoftova Sekretarin e Kabinetit. Si Sekretar i Brendshëm e mbaj veten sipas standardeve më të larta dhe dorëheqja ime është gjëja e duhur për të bërë”, thuhet ndër të tjera në letër.
“Të pretendosh se nuk kemi bërë gabime, të vazhdosh sikur të gjithë nuk mund ta shohin se ne i kemi bërë ato dhe të shpresosh se gjërat do të shkojnë në mënyrë magjike nuk është një politikë serioze”, u shpreh ajo si forme kritike ndaj qeverisjes.
Truss u detyrua të anulonte planet ekonomike që përfshinin shkurtime të pafinancuara të taksave që tronditën tregjet financiare.