“Kam rivendosur marrëdhëniet me Presidentin Putin. Madje paksa si shumë”. Janë fjalët e Silvio Berluskonit, në një audio-përgjim të publikuar nga gazeta italiane “LaPresse”. Fjalët kanë shkaktuar një tërmet në politikën italiane. Deklaratat janë bërë në një takim që ai ka pasur me deputetët e tij pak ditë më parë.
“Putini më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër shumë të ëmbël për ditëlindjen time. Unë iu përgjigja me shishe Lambrusco dhe një letër po aq të ëmbël”, – rrëfen Berluskoni.
Fjala është për ditëlindjen e kremtuar më 29 shtator. “Putin mu duk si njeri të paqes dhe ndjeshmërisë…”, – rrëfen Berluskoni që më pas paralajmëron Ukrainën: “Nëse ajo do të hynte në NATO, do të kishte një luftë botërore. Ministrat rusë kanë thënë në disa raste se ne jemi në luftë me ta. Sepse ne i ofrojmë armë dhe financim Ukrainës”.
Deklaratat vijnë në një moment kur pritet të formohet qeveria e re e Giorgia Melonit ku Berluskoni është pjesë. Që përpara kësaj shihej me dyshim raporti që qeveria e re italiane do të ketë me Rusinë. Pas publikimit të audios, “Forza Italia” nxori një deklaratë ku fillimisht e mohoi ndërsa më pas bëri një sqarim se fjalët janë nxjerrë nga konteksti.
“Pozicioni i Forza Italia dhe presidentit Silvio Berlusconi në lidhje me konfliktin ukrainas dhe përgjegjësitë ruse, dihet nga të gjithë. Ai është në përputhje me qëndrimin e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara” – thuhet në deklaratë.
Në audio Berlusconi flet lirshëm për luftën e Ukrainës. “Unë nuk e shoh se Putin dhe Zelensky mund të ulen në një tryezë ndërmjetësimi. Sepse nuk ka asnjë mënyrë të mundshme. Zelensky, për mendimin tim… harrojeni, nuk mund ta them…” – thotë Berluskoni.
“A e dini se si ndodhi puna me Rusinë? Edhe për këtë ju lutem, konfidencialitet maksimal. Më premtoni? (…) Kështu shkoi: në vitin 2014 në Minsk të Bjellorusisë u nënshkrua një marrëveshje midis Ukrainës dhe dy republikave të sapoformuara të Donbasit për një marrëveshje paqeje pa sulmuar njeri-tjetrin.
Ukraina e hodhi këtë traktat në ferr një vit më vonë dhe fillon të sulmojë kufijtë e dy republikave. Dy republikat pësojnë viktima në mesin e ushtarakëve. Më thonë 5-6-7 mijë të vdekur. Vjen Zelensky. Trefishon sulmet ndaj dy republikave.
Të vdekurit bëhen (…). Të dëshpëruar, dy republikat (…) dërgojnë një delegacion në Moskë (…) dhe më në fund arrijnë të bisedojnë me Putinin. Ata thonë: ‘Vladimir nuk dimë çfarë të bëjmë, ti na mbro’. Ai – shton ai – është kundër çdo nisme.
Ai reziston. I nënshtrohet presionit të fortë nga e gjithë Rusia. Më pas ai vendosi të shpikte një operacion special: trupat duhej të hynin në Ukrainë. Të arrinin në Kiev brenda një jave. Të rrëzonin qeverinë në detyrë, Zelensky, etj., dhe të krijonin një qeveri të zgjedhur tashmë nga pakica ukrainase me njërës me sens të mirë.
Një javë më pas do të ktheheshin. Ai hyri në Ukrainë dhe u gjend përballë një situate të papritur dhe të paparashikueshme rezistence nga ana e ukrainasve. Ata filluan të merrnin para dhe armë nga Perëndimi që në ditën e tretë. Dhe lufta, në vend që të jetë një operacion dyjavor, është bërë një luftë 201-vjeçare. Pra, kjo është situata e luftës në Ukrainë” – thotë ai.
Berluskoni flet me kunja edhe për liderët e Evropës e SHBA-së.
“Cili është rrezik tjetër. Një tjetër rrezik që kemi të gjithë sot. Për fat të keq, në botën perëndimore nuk ka liderë. Nuk ka asnjë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk ju them gjërat që di, por nuk ka liderë të vërtetë. Mund të të bëj të buzëqeshësh? Lideri i vetëm i vërtetë jam unë…”.
“Lufta e zhvilluar në Ukrainë është masakër e ushtarëve dhe qytetarëve ukrainas. Nëse ai thoshte “nuk sulmoj më”, gjithçka kishte marrë fund (…). Pra, nëse nuk ka një ndërhyrje të fortë, kjo luftë nuk do të përfundojë” – thotë Berluskoni.