BallinaEkonomiBordi “harron” të mblidhet kur ulen çmimet e naftës në bursa!

Bordi “harron” të mblidhet kur ulen çmimet e naftës në bursa!

spot_img
spot_img

Nafta në bursat ndërkombëtare është në tendencë rënëse që prej disa ditësh. Treguesi Brent, referenca e naftës bruto europiane ka zbritur në 90 dollarë për fuçi, nga gati 100 dollarë që ishte pak ditë më parë. Ky është niveli më i ulët që nga janari i këtij viti, përpara se të fillonte rritja e fortë si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës

Treguesi tjetër Platts, që është referenca ku blejnë importuesit shqiptarë ka zbritur në 1088 dollarë për fuçi

Pavarësisht se në bursa çmimet janë në rënie që prej një jave, Bordi i Transparencës, i cili që prej fillimit të muajit mars cakton çmimet tavan të shumicës dhe pakicës, nuk është mbledhur.

Vendimi i fundit i Bordit është i datës 12 tetor, kur nafta në bursa ishte 96 dollarë për fuçi për treguesin Brent dhe 1109 USD/ton për treguesin Platts.

Aktualisht, që prej datës 12 tetor, nafta tregtohet në tregun vendas me 240 lekë për litër, në shifra të ngjashme kur nafta në bursa ishte rreth 1,200 dollarëve për ton. Sipas shpjegimeve të Bordit ky nivel lidhet me ecurinë e naftës në Bursat ndërkombëtare dhe kursin e këmbimit të dollarit.

Bordi i Transparencës filloi të ndërhyjë në çmimet e tregtimit të naftës, benzinës dhe gazit në datën 12 mars, pasi çmimet në tregun vendas kërcyen deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, nga 192 lekë në fund të shkurtit, pas problemeve me furnizimin me naftë që u shkaktua nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.

Në atë kohë në bursa, nafta kërceu nga 90 dollarë për fuçi në gati 140 dollarë për fuçi, nivele që nuk janë arritur më deri më sot.

Në Shqipëri, nafta ka kushtuar më shtrenjtë në 19 qershor, në 265 lekë për litër, vetëm për një ditë dhe më pas është luhatur midis 230-240 lekë për litër mesatarisht.

Niveli më i ulët është shënuar për pak ditë nga mesi i shtatorit në 216 lekë për litër.

Aktualisht, ndonëse në bursa nafta ka zbritur në nivelet e para luftës, duke u tregtuar me rreth 90 dollarë për fuçi, në tregun vendas ajo mbetet 25% më e lartë se në shkurt.

Operatorët e tregut pohojnë se kjo tendencë lidhet me ecurinë e treguesit Platts, që nuk ka ndjekur të njëjtat ritme me treguesin Brent (Platts tregtohet sot me 1088 USD/ton, nga 960 në fillim të marsit), shtrenjtimin e dollarit (119 për një dollar aktualisht, nga 112 në fillim të marsit), shtimin e shpenzimeve të transportit dhe sigurimit për shkak të ndryshimit të gjeografisë së furnitorëve.

Sipas tyre, një tjetër faktor lidhet me ndërhyrjet e Bordit, që nuk u mundësojnë tregtuesve që të jenë fleksibël kur ka luhatje çmimesh në treg dhe ta marrin vetë përsipër rrezikut.

“Në mënyrën se si po vepron e ndërhyn, Bordi po i bën dëmin më të madh të mundshëm sipërmarrjes, por dhe konsumatorëve duke treguar që nuk arrijnë të kuptojnë se si funksionon ky treg dhe as të bëjë transparencë. Nëse konstatohet që ka abuzime, Bordi le të ndërhyjë por duhet ta lërë sipërmarrjen t’i përshtatet në mënyrë të lirë situatës në tregjet ndërkombëtare, nga ku varet.

Në vend që me paketën e re fiskale të kalohet me akcizë fikse siç ka qenë, të mos rijepet me koncesion markimi, që mbaron shkurtin që vjen, që do të mundësonte të uleshin kostot e për rrjedhojë çmimet, Bordi vijon t’i fiksojë çmimet pa asnjë logjikë tregu”, pohon Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.

Shoqata thotë se sot të gjithë operatorët po blejnë në treg për nevoja ditore, çka kufizon si konkurrencën, ashtu dhe mundësinë për të manovruar me rezervat dhe çmimet. Shoqata thotë se nëse Bordi nuk do të ndërhynte, çmimet do të ishin pa dyshim të paktën 5% më të lira.

Shumë operatorë pohojnë se janë shtuar falimentimet e pikave të vogla, ndërsa është rritur dhe evazioni si dhe është përkeqësuar cilësia e karburantit të tregtuar, që është e dukshme nga tymi i zi që nxjerrin shumë automjete nëpër rrugë.

Ndërkohë, akciza e hidrokarbureve, e cila prej vitesh ishte fiksuar në 37 lekë për litër, nga janari i vitit 2022 indeksohet me inflacionin. “Akciza e llogaritur në njësinë matëse…. indeksohet çdo dy vjet bazuar në normën e shpallur të inflacionit për dy vitet paraardhëse”, sipas specifikimeve të ligjit. Rishikimi i saj, teksa inflacioni ka arritur në nivele rekord prej 8% mund të sjellë një tjetër rritje të çmimit.

Burimi: Bordi i Transparencës për naftën në lekë nga 12 marsi, tregu për naftën në lekë deri në 12 mars; Përpunime të Monitor

GRAFIKU: Ecuria e treguesit Brent në bursa gjatë vitit të fundit (USD/fuçi)

Burimi: FT

MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular