Nga Edlira Devolli
“Kandidati konsensual”? Si?
“Kandidati konsensual”? Si?
Që nga 6 marsi trumbetohet fuqishëm sikur foltorja është shumicë brenda PD. Dihet qartë kujt i shërben ky manipulim i opinionit publik.
6 marsi nuk mund të jetë batometri ku mbështetet ky si argument.
Një pjesë e mirë e strukturave, si dhe mbështetës aktive të PD ndër vite nuk dolën në votim sepse sapo afroheshin në PD zyrtare kontaktoheshin nga përfaqësues të foltores. Disave i kujtonin si nder që kishin punuar në kohë të qeverisë Berisha, me disa të tjerë përdorej shantazhi apo presioni që të tërhiqeshin sa nuk është vonë.
Kush mbështeste PD zyrtare dhe shkruante apo shprehej kundra qeverisë apo kandidatëve të PS, foltoristët e linconin dhe e fyenin apo akuzonin për peng, shitje, etj etj. Ishte fiks e njëjta gjuhë që Berisha përdorte ndaj Bashës.
Shumë aktivist u tërhoqën sepse nuk mund ta përballonin gjuhën fyese që përdornin ish miqt e tyre të dikurshëm. Ky presion i ushtruar nga foltorja te votuesit dhe strukturat e djathta i bëri të mos dilnin në votim. Me të drejtë nuk mund të transportonin votën e tyre nën siglën e LSI (shtëpia e lirisë).
Ndaj sugjeroj se duhet kujdes kur trumbetohet për shumicë e pakicë brenda një familje politike, në rastin tonë PD.
Ajo që vlen të theksohet është fakti që PD zyrtare nuk sulmoi në asnjë moment kandidatët e foltores, as mbështetësit e saj. Lulzim Basha dhe PD në tërësi u kujdes që hendeku mes demokratëve të mos zgjerohej. Si pasoj e kujdesit “të tepruar” ajo që rezultoi në shifra ishte humbje.
Pas kësaj situate Lulzim Basha bëri hap pas duke u dorëhequr dhe tregoi se më shumë se sa karrigia dhe interesi i tij personal, vlente Partia Demokratike dhe demokratët e ndershëm.
Pse Berisha nuk bën hap pas e ta lërë PD të marrë frymë lirisht?
Deri dje linçoi e akuzoi këdo si i erdhi për mbarë, Alibashën, shoqatën Basha-Bardhi, etj, etj.
Pse sot kërkon bisedime për “kandidatë konsensual”?
Përtej kësaj, askush nuk është kundër bashkimit. Askush nuk është kundër një kandidati të vetëm nga opozita kundër kandidatit të Edvinit.
Pyetja është si? Si do realizohet?
Të gjithë kemi vite eksperiencë në PD dhe e dimë se si ndizet lufta e bërrylave kur caktohen kandidatët. E kemi parë edhe atëherë kur PD nuk ka qenë e katandisur dhe e ndarë kështu.
Tani që PD është “lëmsh”, shto këtu dhe partinë me dy emra LSI apo PL, shto edhe Nard Ndokën me Kujtim Gjuzin me shokë, që i mburren dhe i lëpihen Berishës e Metës duke sharë Bashën, kemi një çorbë që lum kush do e gëlltisë.
Unë bëj pjesë tek ato që nuk i besoj këtij “dialogu” për të gjetur një kandidat. Njoh shumë të tjerë që janë skeptik, sepse në 32 vite kemi njohur shumë pak nga ata që kanë kërkuar të marrin pushtet për të marr përgjegjësi për vendin, për njerëzit.
Shumica dërrmuese e këtyre që na premtojnë “kandidat konsensual” kanë dhënë prova mjaftueshëm se kanë lobuar e punuar për pasurimin e tyre, për interesat e tyre dhe të familjarëve të tyre dhe për vilat e tyre të luksit.
Nuk beson më njeri në deklaratat e tyre, në “shenjtërinë e tyre ” dhe në duart e tyre të pastra.
Kanë luajtur shumë gjatë me ne për interesat e tyre.
E di se në parim t`i dalësh kundër këtij konsensusi për një kandidat, që po trumbetohet kaq zellshëm është gabim, por është tjetër parimi e tjetër praktika.
Parimet duan burra shteti, jo hajdutët e shtetit që duan të na përdorin sërisht për veten e tyre, për hallet e tyre, na duan mburojë votash për pasuritë e tyre.