Nga Kolindo Vjerdha
Diagnoza dhe prognoza e një shoqërie në spektrin politik jepet nga çasja që ajo ka shfaqur në dekada. Sjellja tregohet e njëjtë ndonëse paralelet mund t’i shtrijmë pa frikë brenda një shekulli pavarësi. Shpesh ne mundohemi t’i katapultojmë këto tipare socio-politike në terma tranzitor, apo të kamuflojmë dilietantizmin si një shoqëri ende në zhvillim.
Pushteti dhe format e implementimit të tij kanë ndikuar gjatë në çasjen që shoqëria ka ndaj “njëshit”, “liderit”, “udhëheqësit” duke krijuar në çdolloj forme të sistemit një aureolë adhurimi. Termi unifikues është militantizmi. Ky term nuk na shoqëron vetëm në spektrin politik, por si e tillë shoqëria shqiptare mund të perifrazohet duke nisur nga aspekti profesional në sektorin ku punon, biznesin apo ndërmarrjen, në aspektin fetar, muzikor, sportiv, klasor dhe më pas amplifikohet në politikë. Mbështesim kahun ku jemi pjesë deri në pikën e anatemimit të kahut tjetër dhe e tillë funksionon në të gjitha spektret e lartpërmendura. I gjithë ky sistem i ngritur mbi këto baza sprovohet kur brenda tij del një mendim i ri, një mendim ndryshe, një çasje e re, që mbytet pa lindur nga presioni i një konservatorizmi jo si ideologji, por si një e metë e deliruar në terma militantizmi, ku të renë e vë përballë për ta luftuar.
Po ta shtrijmë analizën në terma politik ne jemi një shoqëri paradoksale. Kërkojmë me ngulm nisma të reja politike dhe në momentin kur ato shfaqen i anatemojmë, i sulmojmë dhe kthehemi kësisoj përsëri në mbrojtje të xhaketave të vjetra, që edhe pse e kanë rënduar për 32 vite këtë popull ende gjejnë mbështetje ndër to. Opinioni që krijohet shpesh i njëkahtë preferon që të mos cënohet stereotipi që citon “Nuk i duhet drejtuar gishti popullit, por klasës politike”. E vërteta në fakt flet për marrëdhënie simbiotike, sepse kjo klasë politike nëse nuk do gjente mbështetje në popull nuk do ishte në këtë stad që është sot, por militantizmi i përhapur partiak deri në adhurim mban me oksigjen një skenë të vdekur që për afërsisht një dekadë e gjysmë nuk prodhon asgjë.
Adhurimi ndaj liderve është sfilitës në formën përmbajtësore që shfaqet dhe në përhapjen që ka. Kjo shtresë në fakt përbën dhe politikanët që ndjekin liderin. Militantizmi brenda xhaketës së politikanit është i dëmshëm për politikën pasi nuk prodhon sintezë dhe përmbajtje politike. Ky fenomen pasohet më pas me një jetë dobët parlamentare dhe mbi të gjitha nuk krijon vazhdueshmëri të natyrshme në jetën partiake, por funksionon vetëm me katapultime nga lart. Prandaj politikbërja ka rënie përmbajtësore po të krahasojmë klasën politike që prodhuan lëvizjet në ’90 me atë që kemi sot. Dy momente shënojnë shuarjen e politbërjes. Së pari veshja me xhaketë politike e militantit si më lehtë i kontrollueshëm në aspektin e drejtimit dhe së dyti veshja e kriminelëve me xhaketë politikani. Të dyja këto kanë qënë vendimmarrje të qëllimshme për të krijuar këtë realitet që kemi sot, ku jeta partiake parapërcaktohet, por nuk fitohet dhe politika nuk është më së pari ide, por lojë interesash dhe numrash. Nëse sensi pragmatist ka qënë në proporcion me atë ideologjik, tashmë baza e funksionimit është kthyer vetëm në sensin pragmatist të numrave figurant politik.
Reformimi i klasës politike, i politikbërjes në parim, i funksionimit të rregullave të lojës është kura e vetme që mund t’i sjellë shpresë këtij populli. E kemi të nevojshme t’i çasemi ndrysh politikës. Ta kthejmë politikën në shërbim të shoqërisë dhe jo shoqërinë si një makinacion në duart e një klase politike.