BallinaPolitike10 ndarjet e Partisë Demokratike

10 ndarjet e Partisë Demokratike

Nga emisioni Vetting

Sirela Tore, Genti Shala dhe Mona Muçi janë tre gjyqtarët e Apelit që kanë në dorë të ardhmen e vulës së Partisë Demokratike. Dy ditë më parë më 3 nëntor Gjykata e Apelit vendosi të shtyjë një javë vendimin për ankimimin e bërë nga grupi i demokratëve të drejtuar nga Enkelejd Alibeajt, pasi në seancë nuk është paraqitur përfaqësuesi ligjor i këtij grupi. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 10 nëntor.

Më 18 mars 2022, gjykata e Tiranës vendosi të regjistrojë ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së së 11dhjetorit 2021, nga grupi i demokratëve të foltores, drejtuar nga Sali Berisha. Kundërshtarët e tyre, grupi i drejtuar nga Alibeaj pretendon se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën e grupit tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.

Konflikti për vulën dhe jo vetëm për vulën, ka më shumë se një vit që ka nisur, qysh kur ish-kryetari Lulzim Basha mori guximin ta përjashtojë nga grupi parlamentar, liderin historik të kësaj partie Sali Berishën.

Kanë ndodhur ngjarje të rënda në oborret e korridoret e Partisë Demokratike përgjatë një viti. Atje është zhvilluar një ndër shfaqjet me të turpshme të ndodhura nëpër oborre a seli partish në 32 vjet pluralizëm..

Dhjetë muajt që shkuan prej këtij momenti, Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje, Berisha është rikthyer në seli në krye të PD-së dhe ka nisur reformimin, ka premtuar ta bëjë partinë me të vërtetë demokratike.

Demokratët e Berishës dhe ata të Alibeajt nisën përpjekjet për një marrëveshje për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Por pa kaluar shumë ditë, negociatat dështuan dhe palët u shfaqen para mediave për të fajësuar njëra-tjetrën për dështimin. Duket se demokratët po shkojnë sërish drejt ndarjes për të shënuar të dymbëdhjetën parti që lind prej luftës brenda Partisë Demokratike, si një mallkim që vjen prej së shkuarës.

Përgjatë 32 viteve Partia Demokratike ka kaluar zhvillime shumë të rëndësishme brenda saj, dhjetëra parti kanë dalë nga themelues të saj.

Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Shahin Kadare, Ridvan Peshkëpia e të tjerë themelues e aktivist qysh në orët e para të lëvizjes, u përjashtuan nga Partia Demokratike në gusht të vitit 1992. Pas përjashtimit ata themeluan “Partinë Aleanca Demokratike’.

Pas PAD-së, prej Partisë Demokratike do të shkëputeshin të tjera grupime për të krijuar parti të vogla.

Në vitin 1994, Abdi Baleta një ndër njerëzit më mbështetës të Berishës, do të largohej nga PD për të themeluar partinë e tij: “Rimëkëmbja Kombëtare”.

Petrit Kalakula ishte një ndër drejtuesit e parë të PD-së, i cili vinte nga radhët e ish të përndjekurve politik, por në vitin 1994 e pa veten të panevojshëm në PD dhe për shkak të përplasjeve me Berishën dhe të tjerë drejtues demokratë, u largua për të themeluar partinë: “E Djathta Demokratike”.

Në vitin 1997 do të vinte një tjetër moment ndarje. Dashamir Shehi ishte deputet i PD, ndër të paktit që kishte guxuar shpesh të përballej me liderin Berisha. Në shkurt të vitit 1997, kur vendi dukej se po shkonte drejt kaosit, për shkak edhe të falimentit të kompanive piramidale, Dashamir Shehi propozoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, një promemorie me 14 pika ku spikasin dy prej tyre: së pari kërkonte që Berisha të mos rikandidonte për president dhe së dyti Aleksandër Meksi të dorëhiqej si kryeministër dhe të krijohej një qeverisje që do të ndikonte në uljen e tensioneve.

Padyshim, promemoria e Shehit u prit me revoltë nga Berisha dhe Meksi por edhe pjesa tjetër e PD-së. Lista me më shumë se 20 deputetë nisi të tkurrej dhe në finale mbetën vetëm gjashtë prej tyre bashkë me Shehin, ndër të cilët, Alfred Serreqi, Tomorr Dosti, Ariana Nati, Bashkim Kopliku. Firmëtarët e promemories u larguan nga PD.

Mes protestash masive për falimentin e firmave piramidale, Berisha u rizgjodh president pak ditë më pas më 3 mars 1997 ndërsa Meksi vazhdoi mandatin e tij si kryeministër. Por vendi po shkonte drejt kaosit me shpejtësi. Kjo situatë detyroi rrëzimin e qeverisë Meksi dhe krijimin e qeverisë së stabilitetit me kryeministër Bashkim Finon.

Në vitin 1997, Sali Berisha kishte dhënë dorëheqje si president duke u rikthyer në krye të Partisë Demokratike. Njëri prej nënkryetarëve të PD-së së drejtuar nga Berisha ishte edhe Genc Pollo. Ai u largua bashkë me disa deputetë demokrat si Tritan Shehi, Ferdinand Xhaferri, Leonard Demi e të tjerë për të krijuar PDR-në, Partia Demokratike e Reformuar. Pollo hyri në zgjedhjet e vitit 2001 ku dhe fitoi disa mandate.

Përgjatë viteve 2005-2013, Partia Demokratike në pushtet, nuk pati zhvillime shumë të rëndësishme brenda saj, përveç dy rasteve. Në vitin 2008 u largua nga PD Spartak Ngjela për të themeluar partinë e tij “Ligj dhe Drejtësi”.

Në vitin 2012, Bamir Topi la presidencën dhe nuk u kthye në PD por themeloi partinë e tij “Fryma e Re Demokratike” ku dhe u bashkuan demokratë të tjerë si Gazmend Oketa apo Aleksandër Biberajn.

Partia Demokratike i humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe për pasojë, kryetari Sali Berisha dha dorëheqje. Në vend të tij u zgjodh kryetar i PD-së Lulzim Basha. Për dy mandatë në opozitë, nga Partia Demokratike u larguan shumica e themeluesve si dhe  drejtues të forumeve të larta në kohë të ndryshme. U larguan Arben Imami, Genc Ruli, Ridvan Bode, Ilir Rusmajli, Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, Astrit Patozi e të tjerë. Nga këto largime lindën dy parti të reja.

Astrit Patozi, themeloi Bindjen demokratike. Ndërsa Jozefina Topalli themeloi një parti në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, e quajtur “Lëvizja për Ndryshim”.

Në mandatin e tretë në opozitë PD nisi një fazë të re të ndarjes që buroi nga përjashtimi i Berishës prej grupit parlamentar. Berisha u rikthye në krye të partisë duke shkelur premtimin e tij të rreptë që asnjë forcë madhore nuk do ta kthente atë në krye të partisë që kishte lënë në vitin 2013. Ai e justifikoi kthimin me nevojën për shpëtimin dhe demokratizimin e  PD-së.

Këtë dhjetor Partia Demokratike feston 32-vjetorin e themelimit. Kanë ndryshuar shumë gjëra prej asaj kohe por lideri është i njëjti. Në ato fillime të gjithë ishin entuziastë se po krijohej një elitë e re politike dhe vendosja e demokracisë ishte çështje ditësh, muajsh apo pak vitesh.“Shqipëria si gjithë Evropa…” ishte thirrja që dukej se buron nga forca e shpirtit të një populli të robëruar për 50 vjet në diktaturë

Koha tregoi se për 32 vite histori, demokracia brenda PD ishte një mision i pamundur. Pasojat e kësaj mungesë do të reflektoheshin kohë pas kohe në politikë dhe në të gjithë shoqërinë shqiptare. Modeli  autoritarist i trashëguar nga e shkuara, do të mbetej si mallkim në çdo qelizë të shoqërisë tonë ku demokracia është ende një aspiratë.

Partia Demokratike është në një farë mënyrë historia jonë e tranzicionit. Historia e përpjekjeve të dështuara për demokraci që e kanë origjinën në fillim. Koha po e qartëson nëse patëm një “foshnje që lindi e vdekur” apo “një lule të çelur në dimër”.

/abcnews.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular