BallinaOP EDSëmundja shqiptare

Sëmundja shqiptare

Ardi Stefa

Shqipëria gjithmonë ka vuajtur nga përçarja. Jo vetëm në këto 31 vite pluralizëm, por që në themelimin e saj si shtet, madje që në lashtësi.
Kështu që ndoshta ndokush mund të thotë me plot gojën se përçarja është në ADN-në e shqiptarëve që të ndahen në kampe kundërshtare për gjithçka, madje, të ndahen në kampe kundërshtare shumë më të egra edhe kur janë brenda të njëjtit kamp.
Dhe siç na mëson Historia, vetë përçarja sjell probleme më të mëdha nga vetë “problemi”, sikundër mundet të interpretohet me kalimin e kohës.

Shqipëria, pothuajse në çdo ngjarje sociale apo politike ndahet më dysh.

E njëjta gjë, i njëjti rrezik është evident, jo vetëm në rrjetet sociale e medie vizive, por edhe fizikisht, si kur ka zgjedhje lokale, si kur ka zgjedhje parlamentare, si kur ka “zgjedhje” brenda partive të tyre, si kur ka “konflikte” brenda partisë me “fraksionet”, si kur ka zgjedhje Amerika, si kur luan Italia me Gjermaninë, si kur rendin të takohen me lojtarët e “Përputhen”.

Në vend që të mbizotërojë gjakftohtësia, logjika dhe vizioni si në çdo demokraci moderne përfshihemi nga konfliktet dhe ndarja në kampe të egra kundërshtare.

Dhe kjo kategori në ëndrrat e saj vishet Skënderbe, Dedë Gjo Luli, Selam Musa, Marigo Posjo, hero, që gjithë bota e do; çfarëdo që mendojnë se i përfaqëson. Peshkojnë në ujërat e turbullta të një shoqërie veçanërisht të lodhur e të munduar, që për shkak të mungesës së shpresës, perspektivës dhe vizionit ka arritur në limitet e saj.

Sado i munduar dhe i zemëruar të jetë ky popull, sado të mos durojë sjelljen dhe arrogancën e “liderëve” të tij, duhet të reflektojë dhe të demonstrojë disa vlera, të cilat duhet t’i ketë përjetësisht. Askush nuk duhet ta bëjë të ndihet keq apo të kërkojë falje pse mallëngjehet kur sheh flamurin shqiptar, kur bën shqiponjën me duar, kur krenohet me historinë, kur nuk krenohet me politikanët që e drejtojnë, kur është i zhgënjyer me fatin e vet, kur nuk sheh perspektivë për fëmijtë e për veten.

“I majtë” apo “i djathtë” këto i ka pjesë të identitetit të tij. Të gjithë ata “të mençur” që ngatërrojnë narcizmin komunikativ me simbolet e kombit thjesht sjellin e mbjellin përçarjen dhe ruajnë status quo-në e regresit shqiptar.

Kemi hyrë në një periudhë të rrezikshme!

31 vjet pas shpalljes së pluralizimit duhet të kishim mësuar – supozohet- mësimin tonë.
Duhet të kishim kuptuar- supozohet- mësimin tonë.
Ndoshta duhet të kishim vendosur të gjithë si komb që të hidhnim thikat dhe demonët e së shkuarës.
Por jo. Tani të gjithë po i nxjerrin nga brezi (jo se i futën në brez ndonjëherë) dhe si huliganë bëjnë rrëmujë. Rreziku është të na bëjnë të gjithëve huliganë. Sepse tashtmë, në “dialogun publik” nuk dëgjohet veçse ai që shan, fyen, pështyn, hedh baltë.

Dhe një kategori tjetër kundërshtare që sponsorizon grindjen tonë të përjetshme, mjerimin tonë të përjetshëm dhe fërkon barkun e qesh nën buzë në cepin tjetër.

Dhe ekziston rreziku që ekstremet të na çojnë të gjithëve në limite e ekstrem. Unë e ndiej, e shoh, e prek.

Njerëz të qetë, të logjikshëm e të kulturuar; qytetarë të të gjitha kategorive fillojnë të shprehen me zemërim, jo vetëm politikisht.

Por, në një “stadium”, ku të gjithë sillen si huliganë, ose sillesh në të njëjtën mënyrë, ose thjesht nuk shkon…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular