Nënkryetari i PD dhe njëherazi kandidati për primare në Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, ka deklaruar se në momentin që shpalli kandidaturën për primare, janë hequr nga puna të gjithë familjarët e tij.
I ftuar në studion e MCN Tv, Boçi tha se pas këtij akti fshihen patronazhistët e qeverisë Rama. Ai kërkoi që bashkitë të kishin një politikë njerëzore.
“Kjo makineri e detyron forcën politike të mos vendosë kandidatë të spikatur, se luftën e bën. Mund të kenë kandidatë shumë të mirë, por lufta nuk është me kandidatin, por me këtë makineri që është mbas. Janë me laps e letër, patronazhist sigurims. Të cilët kërcënojnë me vend pune. Ka raste konkrete. Që në momentin që kam kandiduar, janë hequr nga puna të gjithë familjarët e mi. Do isha shumë i lumtur që në të gjitha bashkitë të kishim politikën njerëzore, të shkojmë tek njerëzit se tek e fundit qytetari do e marrë shërbimin”, ka thënë Boçi.