Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar të hënën një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet që Rusia të mbajë përgjegjësi për dëmet që i ka shkaktuar në Ukrainë, raporton Reuters
Rezoluta e mbështetur nga 94 prej 193 anëtarëve të asamblesë, thotë se Rusia e cila pushtoi fqinjin e saj në shkurt, duhet të mbajë pasojat ligjore të të gjitha veprimeve të saj të paligjshme ndërkombëtare, duke përfshirë kompensimin për dëmet që i ka shkaktuar.
Kjo rezolutë rekomandon që shtetet anëtare, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë një regjistër ndërkombëtar për të regjistruar provat dhe pretendimet kundër Rusisë.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, por ato kanë peshë politike.
Ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya, tha përpara votimit se Rusia ka shënjestruar gjithçka, nga fabrikat deri te ndërtesat e banimit dhe spitalet.
“Ukraina do të detyrohet të rindërtojë vendin dhe për t’u rikuperuar nga kjo luftë, por ajo rimëkëmbje nuk do të jetë kurrë e plotë pa një ndjenjë drejtësie për viktimat e luftës ruse. Është koha për t’i kërkuar llogari Rusisë”, tha Kyslytsya.