Banorët e Divjakës u konfrontuan këtë të enjte me forcat e policisë dhe rrëzuan traun e biletarisë të vendosur në hyrje të Parkut Kombëtar të Divjakës
Dhjetëra banorë kundërshtuan vendosjen e pikës së pagesës, çka i detyron ata të paguajnë bileta jo vetëm për të hyrë në këtë park natyror, por edhe për të vizituar plazhin gjatë verës. Sipas një vendimi të fundit të Ministrisë së Turizmit, çdo vizitor që hyn në këtë park detyrohet të paguajë 50 lekë të reja ndërkohë për automjetet është vendosur një tarifë prej 150 lekësh të reja. Por, vendimi është kundërshtuar fuqishëm nga banorët, të cilët e konsiderojnë parkun si “mushkërinë” e zonës së tyre.
Ata kanë mbajtur në duar pankarta të ndryshme ku në njërën prej tyre shkruhet “Fëmijët tanë duan oksigjen”. Protesta ka vijuar prej disa ditësh pasi qytetarët ishin lajmëruar për vendosjen e kësaj mase, ndërkohë situate është tensionuar prej ditës së djeshme kur është vendosur edhe trau. Policia ka krijuar kordon në aksin kryesor të rrugës në mënyrë që të shmanget bllokimi i saj nga protestuesit. “Deputetët që ka votuar ky popull është kundër. Edhe Erion Braçe është kundër. Kur deputetët janë kundër do të thotë se qeveria është një bandë që del kundër vullnetit të popullit”, tha një prej banorëve, i cili më pas u bëri thirrje të tjerëve që të shkulin traun. “Kjo e ka vendin në kanal”, tha një tjetër.
“PAGESA SIMBOLIKE”
Pas reagimeve të shumta, Ministria e Turizmit, deklaroi se pagesa bëhej për shkak të rritjes së fluksit të turistëve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke sjellë sipas saj, nevojën për vendosjen e një sistemi elektronik biletarie, i cili do të bëjë të mundur hyrjen e vizitorëve dhe mjeteve nëpërmjet aksesit të kontrolluar. “Aksesi i kontrolluar në park, përveç sigurimit të të ardhurave, do të ndihmojë edhe në menaxhimin efektiv e të qëndrueshëm në këtë zonë të mbrojtur mjedisore”, tha Ministria. Në reagim thuhet se pagesa e vendosur është modeste, pavarësisht se banorëve që e vizitojnë shpesh këtë park do t’i rëndojë në xhepat e tyre.
“Bëhet fjalë për një biletë modeste në vlerën 50 lekë, për të rritur shërbimet dhe mirëmbajtur parkun. Kjo biletë do aplikohet vetëm për turistët dhe prej saj përjashtohen banorët e zonës”, sqaroi më tej. Ministria thotë se edhe parqe të tjera në vend janë me pagesë. “Ne kemi disa raste në Shqipëri ku kjo praktikë është aplikuar si në Dajt, në Syrin e Kaltër, Kune Vain Lezhë dhe nuk ka pasur asnjë problem. Për më tepër që banorët përjashtohen nga tarifa, e cila për turistët është simbolike, por e mjaftueshme për ta pastruar, mirëmbajtur dhe investuar në zonë, çka do të sjellë më shumë vizitorë e më shumë të ardhura për zonën dhe banorët”, thuhet më tej. Në përfundim, Ministria e Turizmit, deklaron se tarifat përcaktohen sipas VKM-së. “Në mbështetje të VKM-së nr. 1156, datë 24.12.2020 “Për përcaktimin e të ardhurave të gjeneruara nga tarifat që paguhen në zonat e mbrojtura, të masës dhe kritereve të përdorimit të tyre”, do të bëhet edhe caktimi i vlerës së tarifës për hyrjen në park nëpërmjet këtij sistemi elektronik”, thuhet më tej.
Erion Braçe: Ministria e Turizmit gënjen! Vendoset taksë për rrugën
Krahas banorëve dhe opozitës, kundër vendosjes së traut në Parkun Kombëtar të Divjakës është edhe deputeti socialist i zonës, Erion Braçe. Ai thotë se Ministria e Turizmit gënjen dhe se banorët kanë të vetmen rrugë për të hyrë jo vetëm në zonën natyrore të mbrojtur, por edhe në plazh. “I lutem Ministrisë së Turizmit të mos gënjejë! Është e qartë se rruga DivjakëPlazhi i Divjakës, është e vetmja mundësi për të shkuar në plazhin e Divjakës, e vetmja. Nëse turistët e Ministrisë së Turizmit na tregojnë një rrugë tjetër që të çon në plazhin e Divjakës, atëherë do kenë plotësisht të drejtë.
Në anë tjetër, vendimi 600 i vitit 2021 i Këshillit të Ministrave, na tregon inventarin e rrugëve kombëtare, ku edhe me koordinata përcaktohen qartë: Rruga Çermë-Divjakë, rruga Divjakëplazhi i Divjakës. Letrat tregojnë gënjeshtarët. Gënjeshtarët duhet të kenë turp! Ai iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, duke theksuar se Bashkia e Divjakës nuk ka pasur ndikim në këtë vendim pasi rruga është nën administrimi të Autoritetit Rrugor. “E dyta, gënjeshtrat e copave nga PD-ja, janë edhe me të trasha. Qartë: Bashkia Divjakë nuk ka asnjë pushtet mbi rrugën Divjakë-Plazhi i Divjakës. Këtë pushtet e ka ARRSH. Ndaj, Bashkia Divjakë nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtimin e çdo trau, kioske, apo barriere tjetër në rrugë. Thënë këtë, i lutem edhe copave të PDsë, të mos gënjejnë”, theksoi ai gjatë pasdites.
Deputetja e PD: Parku sjell të ardhura, protesta kundër vendimit
Protesta e banorëve u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike dhe kryetari i PD-së, Lushnjë, Eduard Sharka. Deputetja Ilda Dhori, e cila e konsideroi të jashtëligjshëm vendimin. Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Ilda Dhori, vendosja e traut është një veprim i paligjshëm. Ajo tha se kjo çështje do të ndiqet në rrugë ligjore nëse nuk anulohet dhe se nuk do të tolerohet. Sipas saj, Parku ka gjeneruar vit për vit të ardhura dhe se vendimi nga Ministrja e Turizmit është i paprecedentë. Po ashtu, deputetja demokrate tha se protesta do të vazhdojë.
“Do jemi këtu çdo ditë. Policët ishin duke mbrojtur diçka të paligjshme. Parku ka gjeneruar vit për vit të ardhura. Do ndiqet në rrugë ligjore se Edi Rama ka bërë një ligj bazuar në kundërshtimin e një ligji. Do të ndjekim paralelisht në rrugë gjyqësore. Po indinjon qytetarët dhe nuk do të tolerohet. Deri në këto momente nuk kemi asnjë person të shoqëruar nuk kuptoj kush mund të urdhërojë për të mbrojtur një statujë metalike një shëmtirë metalike që e ka vendin te skrapi”, tha deputetja demokrate.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë, pasi Rilindja do t’u vendosë traun edhe në dyert e shtëpive. “Boll me ‘trarët’ e korrupsionit te Rilindjes, qe nuk ngopet duke shtuar taksat e reja ndaj qytetareve. Qytetaret në protestë shume te drejte për të kundërshtuar vendosjen e traut në hyrje të parkut të Divjakës, që i detyron qytetarët dhe automjetet të paguajnë për të hyrë. Te gjithë në protesta para se Rilindja t’u vendosë traun te shtëpia çdo qytetari”, shkruan Vasili. Panorama