Një shqiptar edhe pse Britania e Madhe e kishte dëbuar dy herë, nuk ka nguruar që të provojë sërish që të kalojë kanalin dhe të zhvendoset në ishull
Megjithatë, sipas mediave britanike, edhe kjo tentativë e tij ka dështuar për herë të tretë. Ai kur është ndaluar nga Policia, ka thënë se kishte të drejtën të rrinte në Britaninë e Madhe për shkak se kishte një fëmijë në Angli. 30-vjeçari, Blerim Ismalaj, u dëbua për herë të parë 9 vjet më parë dhe prej asaj kohe nisi betejën e tij të rrugëtimeve dhe të përballjeve me gjykatat britanike për qëndrimin e tij në atë vend. Madje, Ismalaj kishte edhe një fëmijë me një shtetase britanike, por sërish nuk ka mundur ta bindë drejtësinë britanike që ai të qëndrojë pasi ata po shkelnin të drejtat e njeriut duke e lënë fëmijën 3 vjeç pa baba aty. Mediat vendase e kanë bërë publike ditën e djeshme historinë e Ismalajt si një prej atyre rasteve që nuk ia ka dalë të qëndrojë në vendin ku edhe është bërë baba.
“DAILY MAIL”
Teksa numri i shqiptarëve që emigrojnë drejt Britanisë së Madhe për një jetesë më të mirë vijon të rritet dita-ditës, edhe episodet e ngjarjeve të shpalosura nga mediat e huaja janë të shumta. “Daily Mail” ka sjellë dje në vëmendje rastin e një shqiptari, i cili edhe pse është deportuar dy herë nga Britania, vijon të kërkojë të drejtën e lejeqëndrimit atje. Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Blerim Ismalaj, i cili u dëbua për herë të parë nga Britania e Madhe në janar të vitit 2013, pasi kaloi 16 muaj në një burg. Që atëherë, ai është kthyer dy herë në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjatë qëndrimit të tij të fundit në vitin 2019, ai u bë me një fëmijë nga partnerja e tij britanike.
Ismalaj përdori pikërisht këtë fakt, pra që tashmë në jetën e tij është edhe një fëmijë, që të argumentonte se i takon e drejta e lejë qëndrimit sipas Aktit të të Drejtave të Njeriut. Ai pretendon se jeta e djalit të tij trevjeçar do të ndikohej negativisht, nëse ai do të detyrohej të largohej përsëri nga Britania. Megjithatë, vendimi për ekstradimin e tij është lënë në fuqi nga Gjykata.
Daily Mail raporton se një ngjarje e tillë vjen pasi Britania e konsideron fluksin e shqiptarëve që mbërrijnë e gomone në brigjet e vendit, një problem tejet shqetësues.
Sekretarja e Brendshme, Priti Patel, nënshkroi një marrëveshje deportimi me Shqipërinë në korrik 2021, duke lejuar Britaninë të kthejë kriminelët dhe azilkërkuesit, të cilëve i refuzohet azili.
Ismalajt iu dorëzua për herë të parë një urdhër dëbimi në dhjetor 2012 në moshën 20-vjeçare, pasi u dënua për prodhim narkotikësh.
Ai u deportua në Shqipëri një muaj më vonë, por e shkeli këtë urdhër, duke u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar në tetor 2016, ku nisi një lidhje me një britanike, nënë e dy fëmijëve.
Ai u deportua sërish për në Shqipëri në korrik 2018, por u rikthye në Britaninë e Madhe në janar 2019, një muaj para lindjes së djalit të tij në gusht, kur edhe u kurorëzua në martesë me partneren.
Në fillim të këtij muaji, bashkëshortja e tij ka udhëtuar drejt Shqipërisë me tre fëmijët e saj për t’u treguar atyre vendlindjen e Ismalajt. Autoritetet britanike duke folur për rastin e Ismalajt kanë bërë me dije se që nga janari 2019 ne kemi larguar mbi 12,200 shkelës të ligjit nga Mbretëria e Bashkuar.