Bujar Leskaj: Për Çetën Plake të Vlorës, Gjormin dhe bijtë e tij, Neki Ymerin dhe Sadik Premten flet historia

0
383
Nga Bujar Leskaj
Sot 4 dhjetor 2022 mbushen 80 vjet nga themelimi i Çetës Plakë të Vlorës. Sikurse e thekson studjuesi Kastriot Kapaj, bir i Gjormit, “Çeta Plakë në formë ishte komuniste, ndërsa në përmbajtje ishte nacionaliste, duke mos iu larguar traditave të trevave vlonjate. Veprimtaria luftarake e saj, fitorja triumfuese në çdo përpjekje me pushtuesin, iu futi frikën në palcë komunistëve serbë, kur ju kërkoi largimin dhe mos-ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë”(Libri “Për Gjormin flet historia”, faqe 166 fragmenti i dytë).
Historiografia shqiptare i ka një “borxh” të madh Gjormit, Sadik Premtes, Neki Ymerit, Xhafer Dalanit dhe dhjetëra djemve të tjerë të Gjormit, që u rreshtuan në Çetën Plakë të Vlorës, që më 4 dhjetor 1942, ditën e parë të formimit të saj. Ajo ende nuk u ka kushtuar vëmendjen e duhur atyre ngjarjeve historike që ndodhën në Gjorm gjatë Luftës Antifashiste. Historia e asaj kohe ka nevojë për vështrim më të thellë për veprimtarinë e këtij fshati heroik, që sfidoi për shumë kohë drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi largimin e influencës serbe të Dushan Mugoshës nga kjo parti, në emër të idealizmit dhe të një të majte evropiane.
Gjormi ishte fshati i parë në krahinën e Vlorës, që u mobilizua në luftë kundër pushtuesit fashist. Sadik Premtja dhe Neki Ymeri e kthyen vendlindjen e tyre në bazën e parë të Lëvizjes Antifashiste. Duke qenë gjithë fshati i mobilizuar për luftën, bazat e para të luftës në këtë fshat ishin familjet e Muço Sherifit dhe Esat Sherifit, Neki Ymerit, Qani Shenaj, Zagoll Shenaj, Xhafer Dalanit, Lulo dhe Xhebro Lulaj, Sadik Premtja, Alliajt, Kapajt, etj.
Falë cilësive oratorike, organizative, trimërisë dhe trashëgimisë familjare të Neki Ymerit, ai u zgjodh komandant i njësitit të parë partizan, Çetës Plakë, të cilën e udhëhoqi sa qe gjallë në 24 aksione kundër fashizmit dhe të gjitha me fitore: në Tiranë, Vlorë, Përroi i Silorakut, Selenicë, në Qafë të Pullumbit, në Mal të Bardhë, tek Ura e Gjormit, në Ujë të Ftohtë Vlorë, në Mavrovë, në Radhimë, ku dogji të gjitha depot e armikut, në Luftën e Gjormit kundër forcave të shumta të fashistëve italianë dhe mercenarëve të Halil Alisë.
Në disa prej betejave të rëndësishme, çeta Plakë dhe çeta territoriale e Gjormit kanë bashkëpunuar dhe me çetën nacionaliste të Hysni Lepenicës dhe me çetat territoriale të lumit të Vlorës, të drejtuar ose jo nga komunistët(jemi përpara gushtit 1943, kur nuk kishin filluar vëllavrasjet).
Komiteti i Qarkorit Komunist të Vlorës, duke shkruar për aksionet kundër fashizmit thekson se: “Në ballë të luftës prin komandanti ushtarak dhe zëvendës i tij është komisari politik”. Populli i njihte Çetës Plakë të Neki Ymerit, që ai komandoi dhe vetëm fitoi kudo ku luftoi, 24 aksione, të cilat për 50 vjet historiografia komuniste ia mohoi.
Çeta Plakë, nën komandën e Neki Ymerit u bë tmerr për armikun. Komisar i çetës u caktua një tjetër trim nga Tragjasi dhe që e njihte artin ushtarak, Qazim Çakërri.
Nga Gjormi, në Çetën Plakë kanë marrë pjesë 26 djem, nga 41 partizanë që kishte çeta ditën e parë të formimit. Nga 26 djem të Gjormit, 20 djem u vranë, 6 të tjerë, në ditët e fundit të vitit 1944, u arratisën jashtë shtetit, të ndjekur nga shokët e tyre komunistë për t`i vrarë!
Ndër ta përmendim: Lulo Shaipi, Qani Shenaj, Arap Shenaj, Xhafer Dalani, Selam Emini, Bako Tafili, Nimet Mita – Fterra, Veip Kapaj, Hamdi Lazaj, Hasan Premtja, Feti Premtja, Gjysh Premtja, etj.
Lufta e Gjormit më 31 dhjetor 1942 dhe 1 janar 1943, krahas vlerave të larta patriotike që mbart, çshtë gjithashtu një dëshmi e pabesisë së Mehmet Shehut ndaj Gjormit, çetave partizane dhe çetave balliste të tij, që morën pjesë në këtë betejë, me urdhrin antikombëtar që dha për tërheqjen e forcave, kur ata ishin drejt fitores(u vra komandanti i forcave italiane). Kjo tërheqje solli djegjen e fshatit Gjorm dhe raprezaljet e fashistëve dhe forcave mercenare kolaboracioniste.
Sadik Premtja e Neki Ymeri, bij të denjë të këtij fshati, si dhe shokët që i pasuan ata, ishin produkt i patriotizmit dhe shpirtit luftarak të një krahine të tërë, fshatrave të Lumit të Vlorës, që luftoi dhe sakrifikoi gjithshka, për liri e demokraci. Ata kanë patur një jetë pritash, pusish e atentatesh, të përgatitura në mënyrë mafioze nga sivëllezërit e tyre komunistë. Lavdi dhe mirënjohje të përjetshme këtyre heronjve të ëndrrës së popullit shqiptar për një jetë më të mirë!