Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të shtunën pasdite se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e banuar me shumicë serbe janë shtyrë për datën 23 prill të vitit 2023
Ajo e shpalli vendimin pas një këshillimi me partitë politike, duke theksuar shtyrja ishte e nevojshme për të siguruar “pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit”.
Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Ndonëse Kosova dhe Serbia arritën një pajtim për targat më 23 nëntor, nuk pati ndonjë pajtim rreth kthimit të tyre në institucione, ndërsa procesi zgjedhor u bojkotua nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.
Afrimi datës për mbajtjen e tyre, u përshkua me tensione e incidente në zonë, ku të enjten në mbrëmje një polic i Kosovës u plagos me armë zjarri.
Pasditen e së shtunës grupe qytetarësh serbë bllokuan një rrugë në Rudarë të Zveçanit, rreth 50 kilometra në veri të Prishtinës, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë së Kosovës në veri./ Marrë nga VOA