Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar sot se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë shtyrë për në muajin prill.
Sipas saj data e saktë pritet të publikohet sonte ose nesër. Zgjedhjet janë shtyrë me dakordësimin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhjen që u zhvillua sot.
Osmani u takua sot me partitë politike për të diskutuar rreth mbajtjes apo shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut të cilat ishin planifikuar të mbaheshin në 18 dhe 25 dhjetor.
Në takim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Si përfaqësues të serbëve ishin Aleksandar Jabllanoviç dhe Nenad Rashiq.
Pjesë e mbledhjes nuk ishte AAK-ja.
“Qëndrimi i AAK-së për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me Presidenten.”