Inflacioni mund të godasë shëndetin mendor po aq sa portofolin tuaj, sipas ekspertëve. Me rritjen e çmimeve që nuk ndalet, ekspertët psikiatër e psikologë këshillojnë më shumë vëmendje ndaj këtij ‘problemi’ jo shumë të dukshë
Kostoja e jetesës po rritet, duke krijuar pasiguri të re ekonomike në fund të dy viteve shumë të pasigurta.
Ekspertët thonë se rezultati mund të jetë më shumë tendosje mendore, stres dhe ankth. Kujtojmë se inflacioni në muajin shtator arriti 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vjet që nga dhjetori i vitit 1998.
Në vetvete, inflacioni nuk është domosdoshmërisht i lidhur me përkeqësimin e shëndetit mendor. Ndikimi tek individët varet shumë nga situata financiare. Nëse të ardhurat e një personi nuk rriten së bashku me inflacionin, ata mund të përfundojnë në gjendje më të keqe financiare.
Dhe njerëzit, të ardhurat e të cilëve kryesisht shkojnë për gjërat bazë të domosdoshme si ushqimi dhe karburanti, duke i shtuar faktin që kanë të ardhura të ulëta, do priren të vuajnë më së shumti kur inflacioni është i lartë
Rezultati i inflacionit të vazhdueshëm, pra, mund të jetë thellimi i pabarazisë ekonomike, një problem që ekzistonte shumë përpara pandemisë.
Një hap i rëndësishëm në kuadër të ndihmesës që mund t’i jepet individëve që ndikohen në shëndetin e tyre mendor gjatë kohës që njëkohësisht po ndiejnë një krizë financiare, është hartimi i politikave mbështetëse apo reformave në lidhje me shëndetin mendor.
Kështu sugjeron psikologia Valentina Telhaj. Në një komunikim për “Monitor”, ajo shton se, duhet t’i kushtohet rëndësi koordinimit shëndetësor, e të hartohen plane kombëtare shëndetësore siç kanë bërë Franca, Italia, Letonia dhe Holanda.
“Ne aktualisht kemi qendra komunitare të shëndetit mendor ku ofrohet mbështetja psikologjike nga profesionistë të trajnuar, ose referimi në shërbime shtesë, siç janë dhe shkollat për kujdesin ndaj fëmijëve nga stafi psiko-social, për të siguruar mirëqenien dhe për të referuar problematikat e konstatuara”, – thotë z. Telhaj.
Ndërsa sipas psikologut Endrit Tafa, kur flasim për ekonomi në shëndetin mendor nuk është vetëm pjesa e parasë.
“Është edhe një lloj zinxhiri që ne e quajmë ‘kaskada e mendimit’, që lidhet ngushtësisht me pjesën ekonomike” – thotë ai, duke nënkuptuar thellimin e problemeve nga shqetësimet ekonomike.
Çmimet e shtëpive, qirave, energjisë dhe ushqimeve janë rritur pas dy vitesh pasigurie mes jetës gjatë një pandemie. Mjekët kanë vërejtur më shumë stres dhe tendosje mendore te pacientët.
Arjana Rreli, mjeke psikiatër, thotë për “Monitor’ se stresi financiar i ndërthurur me të tjera pasiguri po mundojnë një pjesë të mirë të njerëzve, duke iu prishur balancat emocionale.
“Është brenda pritshmërive, lidhja e brishtë mes rritjes së çmimeve dhe shëndetit të lëkundur emocional e psikologjik. Në njëfarë mënyre, pas pandemisë, po shkojmë në traumën tjetër. Një traumë e cila zgjati dy vjet ku ka qenë e rrezikuar vetë ekzistenca jonë biologjike.
Te një numër i madh i njerëzve ka qenë e rrezikuar edhe ekzistenca ekonomike, për shkak të humbjeve të vendeve të punës.
Më pas, i shtohet një tjetër element stresues, ai i luftës në Ukrainë e cila drejtpërdrejt nuk na ndikon ne, për shkak të distancës fizike, mirëpo në mënyrë indirekte ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të të gjithëve, duke qenë se në Europë është shënuar rritje çmimesh.
Kjo e rrezikon mirëqenien ekonomike të popullatës, e cila edhe ashtu është në kufi të ekzistencës”, – thotë dr. Rreli.