Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shemsi Prençi, ka deklaruar se fëmijët e moshave 14-15 vjeç në Shqipëri po kthehen në vrasës me pagesë.
Komentet Prençi i bëri teksa ishte i ftuar në News24, ku shtoi se ata stërviten në zonën e asaj që e konsideroi si ‘trekëndëshi i Bermudës’, ku përfshihen qytete si Tirana, Elbasani, Durrësi e Lezha.Ai tha se rekrutohen kryesisht fëmijët të cilët nuk kanë të ardhura, duke i kthyer në ushtarë për organizatat kriminale.
“Në trekëndëshin e Bermudës, Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Lezhë, ky rajon që po të kalosh rekrutohen ushtarë, vrasës me pagesë, bëjnë stërvitje natë e ditë në vende të fshehura, madje rekrutohen edhe fëmijë të moshave 14-15 vjeç. Nuk më shqetëson fati i ndokujt i përfshirë në krim, por po bëhet e udhës që po rekrutohen fëmijë që nuk kanë bukë dhe i kthejnë në vrasës me pagesë. Kjo plagë vjen sepse organizatat kriminale sepse nuk mbijetojnë dot pa këta ushtarë të rinj për vrasjet me pagesë. Policia duhet të riformatojë organizatën”, tha ai.